18:08 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / indeksADMonline

Haradinaj-Stublla merr ftesë zyrtare nga Izraeli, shpejt pritet vizita e parë historike në diplomaci

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka zhvilluar një telefonatë me homologun e saj izraelit, Gabriel Ashkenazi, i cili edhe e ka ftuar atë që ta vizitojë Izraelin.

Ata diskutuan mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, shkruan Indeksonline.

“Pranova ftesën e Z. Ashkenazi për të vizituar Izraelin, dhe së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje”, shkroi ministrja.

Njoftimi i plotë:

Sot pata telefonatën e parë historike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit Z. Gabriel Ashkenazi, e cila shënon një hap të rëndësishëm përpara në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.

Diskutuam mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovës dhe Izraelit dhe ndikimin e madh që ka kjo marrëdhënie për të dy vendet tona, e ndërtuar mbi bazat e miqësisë së jashtëzakonshme midis popujve tanë paqedashës.

E sigurova homologun tim izraelit se Kosova është e përkushtuar me kapacitet të plotë për të ndërtuar bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke nderuar gjithashtu mikun dhe aleatin tonë të madh të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I konfirmova Z. Ashkenazi edhe qëllimin tonë për të hapur Ambasadën tonë në Jeruzalem.

Pranova ftesën e Z. Ashkenazi për të vizituar Izraelin, dhe së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje.