Haradinaj-Stublla niset për një vizitë zyrtare në shtetin që kundërshton liberalizimin vizave për Kosovën, ka agjendë të ngjeshur

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, të mërkurën udhëtoi për një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës, ku do të takohet me homologun e saj, ministrin holandez të Punëve të Jashtme, Stef Blok, me të cilin do të diskutojë për marredheniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe zhvillimet politike në rajon.
Kryediplomatja Haradinaj-Stublla, do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë holandezë, derisa në Hagë të enjten do të nënshkruajë edhe një marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e të dyja vendve – Marrëveshjen për Sigurimet Sociale Kosovë – Holandë.
Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, ministrja Haradinaj-Stublla do të vizitojë institutin “Clingendael” me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me fokus në politikën e jashtme, marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë ekonomike dhe siguria ndërkombëtare dhe me qëllim ngritjen e shkathtësive profesionale të diplomatëve dhe të shërbyesve civilë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Holandës, ministrja Haradinaj-Stublla, do të takojë edhe veprimtarë dhe përfaqësues të diasporës sonë atje, me të cilët do të diskutojë për thellimin dhe forcimin e lidhjeve të ndërsjella midis diasporës dhe vendit.