Haradinaj-Stublla: Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, deklaroi sot se është koha e fundit që ta përballim Serbinë dhe ekipin e Millosheviqit që ende janë nëpër zyra shtetërore me krimet e kryera kundër njerëzimit, të cilat ende i mohojnë e mbrojnë!
“Kosova ishte viktima, kurse Serbia agresori. Dihet botërisht, e nga të gjitha pa përjashtim, çfarë krimesh gjenocidale kreu regjimi i Millosheviqit në Kosovë”.
“Kasapi i Ballkanit fiks para nëntëmbëdhjetë vjetësh, më 2 shkurt 2002, zuri vendin që i takonte, vendin e turpit të historisë, duke qenë përballë gjyqtarëve të Gjykatës së OKB-së për Krime Lufte, në Hagë, për mijëra masakra e krime monstruoze të kryera në Kosovës”.
Shefja e diplomacisë kosovare tha se fatkeqësisht ai u dënua vetëm nga ndërgjegjja e njerëzimit të botës demokratike për fashizmin e tij, pasi, sipas saj, “kjo gjykatë nuk arriti ta çonte në vend drejtësinë, pasi kasapi u iku nga duart, pa e marrë dënimin e merituar”.
“Edhe sot e 21 vjet pas luftës nuk ka drejtësi për mijëra viktima në Kosovë, e cila fatkeqësisht po përballet me drejtësi selektive”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.
