11:44 / E Shtunë, 11 Korrik 2020 / indeksADMonline

Haradinaj-Stublla: Srebrenica, njolla e turpit në ndërgjegjen e gjithë botës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla në 25 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës thotë se është njolla e turpit në ndërgjegjen e gjithë botës.

“Pas Holocaustit, Bosnja dhe Kosova, kanë përjetuar mbi supet e veta krimet më makabre e ç’njerëzore’, shkruan ajo.

Postimi i plotë:

Srebrenica, është njolla e turpit në ndërgjegjen e gjithë botës.

Historitë e harruara, janë përsëritë në shpinën e një populli të lënë nën hegjemoninë e pamëshirshme të një makinerie kriminale të udhëhequr nga Millosheviqi.

8,372 boshnjakë, u ekzekutuan, veç sepse ishin të një etnie e feje tjetër. Ndërkohë, histori të tilla tmerri Evropa ka parë vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pas Holocaustit, Bosnja dhe Kosova, kanë përjetuar mbi supet e veta krimet më makabre e ç’njerëzore.
Nuk ka ditë që nuk ka përvjetorë, përkujtim e dhimbje për më të dashurit, të munguarit, e ata që s’janë.

As sot e kësaj dite, Serbia nuk turpërohet për krimet e kryera në Kosovë, nuk kërkon falje.
Kërkimfalja nuk është zgjedhje, por obligim human, institucional e shoqëror. Është më e pakta që mund të bëhet.