Haradinaj-Stublla thotë se AAK u njoftua përmes mediave për emërimin e Skender Hysenit – Koordinator

Ministrja Meliza Haradinaj –Stublla, ka shfaqur acarim ndaj Kryeministrit Avdullah Hoti, meqë sipas saj AAK-në si partner koalicioni të LDK-së, e njoftuan përmes medieve për emërimin e Skender Hysenit koordinator për dialogun.
”Ne jemi njoftuar për emërimin e Skender Hysenit nga mediet”.
”Si partner koalicioni besoj që kjo nuk është një praktikë e cila duhet të ndiqet, sepse ne kemi punuar me transparencë të plotë me partnerët e koalicionit dhe duhet të vazhdojë një bashkëpunim i ngushtë me tranparencë në këtë temë”.
Haradinaj-Stublla, njëra ndër përfaqësueset më të larta të AAK-së në Qeverinë Hoti, ka deklaruar në Rubikon me Adriatik Kelmendin që emërimi i Skender Hysenit Koordinator, qe i panevojshëm.
”Siç është paraparë platforma e zhvillimit të dialogut, duhet të zhvillohet ashtu siç jemi dakorduar si partnerë. Por kjo nuk po ndodhë fatkeqësisht – dhe emërimi i Koordinatorit [Skender Hyseni], është i panevojshëm”, shprehet ajo.
”Qeveria e ka një udhëheqës të dialogut që e përcakton Kushtetuta dhe ai është Kryeministri Hoti, dhe nuk e shohim të arsyeshme të bëhet një koordinator për çështje të tjera teknike”.
”Çështja e të pagjeturve, kjo është obligim ndërkombëtar që Serbia duhet ta adresojë dhe t’i përgjigjet obligimeve të saj ndërkombëtare, nuk është çështje diskutimi në dialog teknik”.
”Ne e njohim emërimin e tij, mendojmë që ai [Skender Hyseni] mund të japë kontribut, por jo i veçuar si Koordinator Nacional sepse këtë punë duhet ta bëjë Kryeministri dhe këtë duhet ta bëjë në bashkëpunim të plotë me partnerët e koalicionit dhe jo vetëm por edhe me opozitën”.