10:10 / E Enjte, 06 Qershor 2019 / indeksADMonline

Haradinaj takohet me deputetët gjermanë, flasin për dialogun dhe liberalizimin e vizave

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka udhëtuar dje për në Gjermani.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, mëngjesin e sotëm Haradinaj është takuar me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut.

Haradinaj tha se me deputetët gjermanë kanë biseduar për zhvillimet në rajon, për bashkëpunimin Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë, transmeton Indeksonline.

Kryeministri i vendit tha se ka shprehur qëndrimin se Kosova është pro dialogut me njohje të kufijve ekzistues, duke përmendur edhe faktin se kosovarët janë të vetmit në rajon që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave.

Postimi i plotë:

Gjatë vizitës zyrtare në Berlin, pata një mëngjes pune me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen.

Me deputetët gjermanë biseduam për zhvillimet e gjithmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kam shprehur qendrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues.

Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv.

Roli i shtetit gjerman ka qenë dhe mbetet i fuqishëm për konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit tonë dhe aktualisht jemi në pikën kulmore të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë!

RH