75 Mall Live Search
17:05 / E Mërkurë, 30 Janar 2019 / indeksADMonline

Haradinaj takohet me Sindikatën e Shërbimit Civil, nisin angazhimet për ndaljen e grevës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar sot me përfaqësuesit e Sindikatave të Shërbimit Civil.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se gjatë këtij takimi ata u dakorduan që të fillojnë dialogun institucional të drejtpërdrejt në mes të Qeverisë dhe Sindikatave të Shërbimit Civil.

Sipas tij, është vendosur që të trajtohen çështjet që lidhen me stazhin e punës së viteve të ’90-ta, duke u krijuar një komision qeveritar që do të trajtojë këtë temë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Sot takova përfaqësuesit e Sindikatave të Shërbimit Civil, me ç’rast i dëgjova kërkesat e tyre të arsyeshme dhe mënyrën e adresimit të tyre. Në takim diskutuam edhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm dhe u dakorduam që të fillojmë dialogun institucional të drejtpërdrejt në mes të Qeverisë dhe Sindikatave të Shërbimit Civil.

Në këtë aspekt vendosëm që do të trajtohen çështjet që lidhen me stazhin e punës të viteve të ‘90-ta duke krijuar një komision qeveritar që do të trajtojë këtë temë.

Po ashtu, do të diskutohet për kushtet e punës në shërbim civil, aspekti i inspektorateve dhe avancimin e shërbyesve civil të komunës së Prishtinës sipas Ligjit për Kryeqytetin.

Me erdhi mirë që ngritja prej 0.20 %, që është e barabartë me sektorët tjerë u kuptua si një përkushtim i Qeverisë për të përmirësuar sado pak gjendjen e shërbyesve civilë dhe se vazhdimi i dialogut institucional ndërmjet Sindikatës dhe Qeverisë do të jetë përkushtimi im personal.

Administrata e shtetit e përfaqësuar nga shërbimi civil është motori i shtetit tonë dhe se trajtimi i tyre do të jetë i kujdesshëm përmes një dialogu të vazhdueshëm.RH./Indeksonline/