11:27 / E Enjte, 24 Nëntor 2022 / AR

Haradinaj thotë se marrëveshja e djeshme nuk e ka zgjidhur situatën në veri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja e djeshme në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nuk e ka zgjidhur situatën në veriun e vendit.

Ai ka thënë se me atë marrëveshje është evitu ndonjë rrezik për humbje të jetëve në veriun e Kosovës.

“Me marrëveshjen e djeshme për tabelat, e kemi evitue rrezikun, rrezikun e  parë, pra që të kemi viktima, qofshi këta policë të Kosovës, apo qytetarë serbë të veriut, mirëpo dje me marrëveshje nuk është zgjidh situata në veri”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

Më tej ai ka thënë se sfida që e pret Kosovën tani është rikthimi në institucione i atyre që i kanë lëshuar ato.

“Sfida që na pret është rikthimi në institucione i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës, apo plotësimi i gjithë atyre vendeve vakante me rend dhe ligj”, ka thënë ai më tej.

Haradinaj duke folur për zhvillimet e fundit si të ndërlidhura me përpjekjen për një shmangie të Asociacionit ka thënë se nuk shmanget ai duke rrezikuar territorin por duke biseduar me njëri-tjetrin.

“Nëse doni me shpëtu nga Asociacioni urdhnoni të ulemi e të bisedojmë bashkë por jo duke rreziku tërësinë territoriale”, ka thënë më tej Haradinaj.

Kujtojmë se dje Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për targat nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun Mirosav Lajçak.

Mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me konvertimin e targave ka ngjallur tensione të larta mes dy shteteve dhe nevojë për ndërhyrje të lartë ndërkombëtare.