20:06 / E Premte, 22 Mars 2019 / indeksADMonline

Haradinaj tregon një rast se si Mogherini për pak sa nuk e kishte përzënë nga zyrja

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një takim me strukturat e partisë në Rahovec, ka shpalosur detaje interesante nga takimet me shefen për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini, përcjellë Indeksonline.

Haradinaj ka thënë se kur ka kërkuar që edhe Amerika të jetë pjesë e dialogut, Mogherini për pak sa nuk e ka larguar nga zyrja ku mbahej takimi.

“Ne e kemi lypur ndihmën e Amerikës. Unë kur kam shkuar në Bruksel, Mogherini gati sa nuk më ka qit prej zyrës kur i kam thënë po du me hy Amerika në dialog – nuk ka dalur me mua në konferencë për shtyp”, tha ai.

Haradinaj tha se tre komponentë e bëjnë marrëveshjen Kosovë-Serbi, e që sipas tij nuk është territori, Trepça apo Ujmani.

“Një është, çka shtin Evropa në këtë marrëveshje, Evropa duhet me dhënë diçka, që me i ndreq të dy palët”, tha ai.

Ai në këtë takim me strukturat e AAK-së ka folur edhe për kufirin me Malin e Zi, duke shtuar se do ta nxjerr Qakorrin dhe Kullën. /Indeksonline/