Haradinaj tregon se kur do lëvizin qytetarët pa viza
Kryeministri Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në komunë e Vitisë ku edhe është takuar me strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai në këtë takim ka bërë të ditur edhe njëherë që liberalizimi i vizave për qytetarët do të kryhet para fundit të këtij viti.
Këtë duke e ndërlidhur edhe me mbështetjen që ministri i brendshëm gjerman i ka dhënë kreut të ekzekutivit në një takim në Samitin e Berlinit.
“Kur e kam marr detyrën Kosova e kishte dorëzuar vendimmarrjen e vet tek të huajt, krejt temat kryesore tonat të këtij vendi për me vendos, por ishin parapa që me u vendos në tavolinë, dialog. Ne si shtet sovran i kishim çuar këto vendime në tavolinë te Mogherini, Vuqiqi, në këtë rast edhe presidenti ynë. Pra Qeveria ka hequr vendimet prej asaj tavoline dhe ka sjellë në Prishtinë për t’i marr Qeveria. Kjo ka qenë pak e vështirë me i ndërru do rene, mos me thënë me i idhnu dikon, por fatmirësisht e kemi bërë pa dëme të mëdha, siç thotë populli pa therrë në këmbë”, tha ai.
“Ministri i Brendshëm gjerman në takimin me ta më ka thënë se jam për lieralizim të vizave dhe ata për menjëherë. Unë e di që para fundit të vitit po e kryejmë edhe këtë punë”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.
Haradinaj ndër të tjera përmendi edhe idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij, kjo është në dëm të Kosovës.
“U folke shumë mundësia me luajt me megja e me territore, por ju e dini gjatë historisë, se sa herë është luajt me megja në dëm tonin ka ndodhë. Pra, ishte me rëndësi vendimin e parë me marrë, e ai ishte ushtria. Kur e themeluam ushtrinë, e kemi hartën e Kosovës dhe jemi shtet me këtë hartë”, tha ai.
Ai ka komentuar edhe inkuadrimin e Gjermanisë dhe të Francës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, ky është një lajm i mirë për vendin.
“Kjo e fundit që iu ka marrë dialogu Mogherinit është tepër lajmi mirë për ne”.
Ndërsa sa i përket largimit të qytetarëve nga Kosova, Haradinaj ndonëse e ka cilësuar si problem ka thënë se “nuk kem çka bëjmë”.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se asnjëherë nuk kanë pasur më së shumti besim nga qytetarët se tani.
“Është rrit edhe besimi në Aleancë bukur shumë. Aleanca nuk ka pas besim kaq shumë”.
Gjatë këtij takimi në AAK kanë aderuar 200 anëtarë të rinj.
“Kjo është puna e kryeministrit, ngaqë është kryeministri i parë i Kosovës që themeloi ushtrinë e Kosovës dhe i thotë Jo Serbisë”, tha kryetari i degës së AAK-së në Viti, Faruk Nura ./Indeksonline/