75 Mall Live Search
22:53 / E Mërkurë, 25 Shtator 2019 / indeksADMonline

Haradinaj u takua me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer

“Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik, si dhe thellimin e miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kështu ka thënë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, gjatë takimit me z. Palmer, theksoi se rikthimi në tavolinën e dialogut pa kushte dhe me afat dhe kornizë të qartë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rruga e vetme që dy shtetet i përafron me strukturat euro-atlantike.  

Me këtë rast kryeministri në detyrë Haradinaj tha se caktimi i Zëvendësndihmës Sekretarit, Matthew Palmer, si i dërguari i posaçëm për këtë temë, nga Departamenti i Shtetit, është sinjal i mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën nga ShBA-ja.

Gjatë takimit me z. Palmer, në Nju Jork, kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi edhe njëherë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për marrëveshjen ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.