Haradinaj udhëton për në Paris, thotë se do të zhvillojë takime për vizat
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka përfunduar me sukses punimet në Kuvendin e Punës.
Në zhvillimin e këtyre punimeve, kryeministri i vendit, njëherësh i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj taksën 100% dhe krijimin e ushtrisë së Kosovës cilësoi si ndër veprimet më të rëndësishme të qeverisë së Kosovës.
Tutje Haradinaj tha se me taksën 100%, Kosova e ka forcuar shtetësinë e vet.
“Me taksën 100 për qind, i treguam botës që jemi të zot të vetvetes dhe nuk lejojmë as Serbinë e as asnjë shtet tjetër ta rrezikojë Kosovën. I përmbushëm kriteret e liberalizimit të vizave dhe presim që të merret vendimi ashtu siç na tha po Gjermania. Sot udhëtoj për në Paris, ku do të kem takime vetëm për këtë temë, se Kosova është gati dhe e ka kryer punën e vet”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj përmendi edhe projekte të tjera infrastrukturore, të cilat sipas tij qeveria i ka çuar përpara.
Duke folur për bisedimet me Serbinë, Haradinaj tha se pret një kornizë-marrëveshje përfundimtare, që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues./Indeksonline/