Haradinaj: Urime dy vjetori i Ushtrisë, vendimi për formimin e Ushtrisë nuk ishte lehtë

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka kujtuar sot dy vjetorin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës.
Ai ka thënë se kur shënojmë dy vjetorin e miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe atij për Shërbim në FSK, mund të themi se Ushtria e Kosovës është plotësisht e gatshme të shërbejë për paqe dhe siguri edhe përtej kufijve të vendit tonë.
“14 Dhjetori i 2018-së ishte ditë historike për Kosovën, ndërsa vendimi për formimin e Ushtrisë ishte një ndër vendimet aspak të lehta, por më të rëndësishmet pas shpalljes së pavarësisë. Falënderoj secilin deputet që votoi për ushtrinë, që nënkupton votim për paqe e siguri në rajon”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kujtojmë që në kohën ku është formuar Ushtria e Kosovës, pas transformimit nga FSK, Ramush Haradinaj ka qenë Kryeministri i Kosovës.

