75 Mall Live Search
08:14 / E Premte, 16 Janar 2026 / Z S

Haradinaj viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: I pashë të motivuar dhe optimistë për aktgjykim lirues

Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët po mbahen në paraburgim për mbi pesë vjet.

Duke folur në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, Haradinaj tha se i kishte gjetur ata në gjendje të mirë shpirtërore dhe mendore, pavarësisht kohës së gjatë pa u takuar.

Ai shtoi se Thaçi dhe Veseli janë optimistë se në fund do të ketë drejtësi dhe një aktgjykim lirues, transmeton Klankosova.tv.

“Edhe pse ishte një kohë e gjatë që nuk i kisha parë, i pashë shumë të motivuar, shumë të relaksuar, me pikëpamje mendore shëndetësore. Ata e kanë marrë me qetësi çështjen dhe e kuptojnë se duhet t’i përgjigjen të ashtuquajturës drejtësi, por janë optimistë se në fund do të ketë drejtësi dhe një aktgjykim lirues”, u shpreh Haradinaj.

Ai shtoi se gjatë vizitës kishte bërë edhe një gjest simbolik, duke theksuar se ishte diçka “që ata të burgut të mos e harrojnë”.

Megjithatë, Haradinaj theksoi se vizita në paraburgimin e Hagës ishte e mbikëqyrur rreptësisht, duke e cilësuar atë si shumë “kontrolluese”./Indeksonline/