20:22 / E Hënë, 17 Shtator 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Vullneti i Kosovës, intensifikimi i marrëdhënieve me Gjermaninë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me organizatën Gjermane “Hilfe – Help”, të përfaqësuar nga  Klaus Jurgen Hedrich.

Me këtë rast, Kryeminstri Haradinaj, tha se po punohet pandalshëm për konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe në përmbushjen e detyrave të brendshme, në mënyrë që të arrihet stabiliteti ekonomik.

“Kosova ka popullatë të re dhe Qeveria është e angazhuar, me mbështetje edhe të vendeve mike, që t’iu sigurojë atyre perspektivë”, theksoi Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se vullneti i popullit të Kosovës është që të ketë marrëdhënie të ngushta me Gjermaninë dhe ato të intensifikohen në vazhdimësi.

“Dëshmia më e mirë për këtë është Parku Inovativ-Trajnues në Prizren”, vlerësoi ai.

Kryeministri Haradinaj e falënderoi z. Klaus Jurgen Hedrich, për angazhimin e tyre në Kosovë që të ndihmojnë përmes granteve bizneset e vogla dhe komunat, derisa kërkoi që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i organizatës “ Hilfe – Help”, z. Klaus Jurgen Hedrich, theksoi se Gjermania, përmes organizatave të ndryshme do të vazhdojë të mbështesë edhe me tej Kosovën.