Hardh Fest ka sjellë 11.1 milionë euro në 3 ditët e festivalit për ekonominë e Rahovecit

Hardh Fest ka bërë publike shifrat zyrtare të raportit të ndikimit socio-ekonomik, realizuar në bashkëpunim me IDRA Research & Consulting.
Sipas raportit, Hardh Fest 2025 ka arritur të gjenerojë një qarkullim ekonomik prej 11.1 milionë euro BRUTO, ndërsa 7.7 milionë euro NETO kanë përfunduar drejtpërdrejt në biznese, gastronomi, sektorin e verës dhe akomodimit në Komunën e Rahovecit.
60,000 pjesëmarrës dhe turistë nga Kosova dhe rajoni morën pjesë në festivalin 3-ditor.
Për çdo 1€ të investuar nga grantet apo sponsorizimet, ekonomia lokale përfitoi rreth 47.8 € qarkullim. Nëse ky financim ndahet sipas burimeve, rezulton se për çdo €1 të investuar nga Komuna e Rahovecit janë gjeneruar rreth €220 në ekonomi, për çdo €1 nga grantet qeveritare rreth €183, ndërsa për çdo €1 të sponzorizuar nga bizneset/private rreth €93.6.
Përfituesit kryesorë ishin bizneset lokale, me rritje të ndjeshme në shitje dhe frekuentim.
Përveç ndikimit financiar, raporti vlerëson Hardh Fest si një platformë të rëndësishme kulturore që promovon trashëgiminë e Rahovecit, mikpritjen dhe industrinë e verës përmes muzikës live, artit, traditës dhe përfshirjes komunitare.
Raporti i plotë në këtë link.