Hargreaves: Krijimi i ekipeve të hetimeve të përbashkëta, përmirëson efikasitetin e operacioneve

Është shënuar njëvjetori i projektit të Ambasadës Britanike të zbatuar nga Sustainable Criminal Justice Solutions (SCJS), që ka për qëllim forcimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore, kundër financave të paligjshme dhe krimit të organizuar në Kosovë.
Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, vlerësoi përkushtimin e institucioneve për të forcuar demokracinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
“Ju jeni ata që mbani përgjegjësinë për të mbrojtur të drejtat dhe për të ruajtur një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë – pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve. Dhe gjithmonë më ka bërë përshtypje mënyra se si ju, në Kosovë, e realizoni këtë mision. Sigurisht, ka ende punë për të bërë, siç e dimë nga disa nga raportet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, me të cilat jeni të njohur edhe ju, ashtu siç jam edhe unë. E di që po punoni me përkushtim për çështjet e ngritura në ato raporte. Por, gjithashtu e di që po e bëni këtë me synimin për të forcuar më tej demokracinë”, ka thënë ai.
Ambasadori theksoi se këto ekipe të përbashkëta të hetimeve do të ndihmojnë në përmirësimin e bashkëpunimit mes institucioneve ligj zbatuese dhe në rritjen e efikasitetit të tyre.
“Pikërisht për këtë arsye, gjatë viteve të fundit, Ambasada Britanike dhe partnerët tanë të projekteve kanë dëshiruar të punojnë me ju për të mbështetur krijimin e ekipeve të hetimeve të përbashkëta, të cilat jo vetëm që forcojnë bashkëpunimin social, por gjithashtu përmirësojnë efikasitetin e operacioneve tuaja. Me zhvillimin e mëtejshëm të strukturave për këto ekipe të hetimeve të përbashkëta, tani jemi në një nivel të ri të bashkëpunimit, i cili do të mundësojë një shkëmbim më të madh informacioni mes institucioneve. Kjo është një dëshmi e përkushtimit tuaj të jashtëzakonshëm për hetimet, dhe tani kemi mundësinë të kalojmë në një fazë tjetër – atë të veprimit konkret”, shtoi Hargreaves.
Ardian Hajdaraj, kryesues i Këshillit Prokurorial, ka thënë se ky bashkëpunim do të forcojë kapacitetet e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, për të hetuar veprat komplekse.
“Kam besim të plotë që ky bashkëpunim do të forcoj kapacitetet e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës për të hetuar veprat komplekse, ne përfshirje në ekipe të përbashkëta të hetimit në përputhje të standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira. Në këtë drejtim e gjithë puna, profesionalizmi dhe përkushtimi i eksperteve në hartimin e rregullores në fjalë është kurorëzuar me miratimin e kësaj rregullore nga KPK para tri ditëve e cila tash ka karakter detyrues në zbatimin e saj dhe do të jetë lehtësim për punën hetimore të Prokurorisë Speciale”, pohoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap tjetër në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetarët.
Ai tha se një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij projekti është dhe bashkëpunimi me agjencitë tjera ndërkombëtare si Europoli dhe Interpoli.
“Lansimi i ekipeve të përbashkëta hetimore është një hap tjetër në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë për qytetar tanë. Ekipet e tilla do të ndihmojnë për të përmirësuar koordinimin dhe bashkëpunimin midis agjencioneve të ndryshme duke përfshirë policinë prokurorin dhe institucionet e tjera ligj zbatuese. Këto ekipe do të angazhohen ne hetimin e krimeve të rënda, përfshirë edhe ato që lidhen me krimin e organizuar, korrupsion dhe krimet ndërkombëtare, të cilat kërkojnë një koordinim të ngushtë dhe shkëmbim informacioneve mes institucioneve për të arritur rezultate të shpejta dhe efektive. Një tjetër aspekt i këtij projekti është edhe angazhimi dhe bashkëpunimi me agjencitë tjera ndërkombëtare, si Europoli, Interpoli si dhe agjencitë e tjera të ngjashme”, deklaroi ai.