Hargreaves nënshkruan me krerët fetarë deklaratën e përbashkët kundër dhunës me bazë gjinore
Për të shënuar përfundimin e fushatës #16DitëtEaktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bashkuar sot përfaqësuesit e komuniteteve kryesore fetare në vend për nënshkrimin e një Deklarate të Përbashkët historike për Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dinjitetin Njerëzor.
Në takim morën pjesë udhëheqës nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, komuniteti hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore, të cilët vendosën të dërgojnë një mesazh të përbashkët kundër dhunës.
“Me nënshkrimin e kësaj Deklarate të Përbashkët, duke folur hapur kundër dhunës me bazë gjinore, udhëheqësit fetarë të Kosovës kanë dërguar një mesazh të qartë: dhuna nuk ka vend në fe, në familje apo në shoqëri”, tha ambasadori Hargreaves.
Deklarata paraqet një zotim të shkruar dhe publik, një premtim për të mbrojtur më të cenueshmit dhe për të sfiduar normat e dëmshme që ushqejnë dhunën. “Kjo është një deklaratë e shpresës: se udhëheqësit fetarë të Kosovës po thonë ‘mjaft’ dhunës me bazë gjinore”, thuhet më tej në njoftim.
Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur këtë nismë dhe inkurajon edhe komunitetet e tjera fetare në Kosovë t’i bashkohen kësaj kauze.
Për këtë takim ka shkruar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, ku u tha se me nënshkrimin e kësaj deklarate të përbashkët dhe me ngritjen e zërit kundër dhunës me bazë gjinore, “prijësit fetarë të Kosovës kanë dërguar një mesazh të qartë se, dhuna nuk ka vend në fe, në familje dhe në shoqëri”.
“Deklarata e përbashkët është një angazhim i shkruar dhe një zotim publik, një premtim për të mbrojtur personat e cenueshëm dhe për të sfiduar normat e dëmshme. Ajo dërgon gjithashtu një mesazh shprese se, prijësit fetarë të Kosovës janë të bashkuar në thënien ‘mjaft’ dhunës me bazë gjinore”, u tha në njoftimin e BIK-ut./Indeksonline/

