20:47 / E Diele, 15 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Haruni që do të bëhet si Khabibi, i ati thotë se do ta dërgojë në Dagestan

Harun Shipkovica është 9 vjeçar dhe llogaritet mundësi më i ri kosovar që premton shumë – duke arritur dhe një fitore të radhës në kategorinë 26 kilogram.

“Haruni ka shpirt luftarak“, thotë trajneri i tij Sadik Ferati pas ngjarjes së organizuar nga Klubi i Mundjes nga Prizreni ku morën pjesë mbi 70 mundës të kategorive të ndryshme.

“ Është hera e katërt që merr pjesë në gara dhe në të gjitha garat ka dal i pari. Prej 24, 26 deri 28 kilogram. Haruni është një mundës që presim shumë prej tij. Për një kohë shumë të shkurtër presim të jetë dhe kampion i Ballkanit në kategorinë e vet“ – ka thënë trajneri Ferati.

Por Harunit nuk i bëjnë përshtypje fitoret që po mësohet me to.

Ai ka një ëndërr dhe ndjekë me pasion luftarakun e UFC Khabib Nurmagomedov.

“Më pëlqen Khabibi dhe më jep shumë vullnet gjatë stërvitjeve“shprehet Shpikovica.

“Pse mos ta tejkalojë dhe Khabibin“ – ndërhyn ndërkaq, trajneri i vogëlushit Sadik Ferati.

Nga ana tjetër i ati i Harunit, Gykhan Shipkovica thotë se po e mendon seriozisht mundësinë e bashkimit të djalit të tij me ekipin trajnues të luftarakut Khabib Nurmagomedov në një të ardhme të afërt.

“Nëse kjo vazhdon e mbetet dëshira e tij, me kënaqësi do ta dërgoja djalin në Dagestan për t`iu bashkuar kampit të stërvitjeve të luftarakut të njohur Nurmagomedov. Sporti ka qen pjesë e familjes tonë ndër gjenerata “ – ka thënë  i ati Harunit, Gykhan Shipkovica.

“Kategoritë e reja kanë filluar me një intensitet të madh bazuar në rezultatet e arritura në garat në Bullgari, Maqedoni, Shqipëri“ shprehet ndërkaq Selektori i Kosovës për Senior, Sylejman Shala.

“Besoj se mundja kosovare me të rinjtë shtënë rrugën e mirë“ shprehet Shala derisa kërkon që ky sport të vazhdon të mbështetet nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Klubi nga Prizreni renditet në vendin e tretë në nivel Republikan.