75 Mall Live Search
20:13 / E Hënë, 11 Gusht 2025 / Burim

Hasani: Besoj se ish-krerët e UÇK-së lirohen, s’mund të vlejnë për Specialen dëshmitë e Nazim Bllacës e Xhafer Shatrit më shumë se të Clarkut

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani tha se me ligj Gjykata Speciale mund të përdorë dokumente të UDB-së serbe, por tha se beson se do të vlejnë më shumë deklaratat e dëshmitarëve si Nazim Bllaca, sesa të Wesley Clarkut, William Walkerit e të tjerëve në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha në Frontal në T7 se është i bindur se Specialja nuk do t’ua falë besimin këtyre dëshmitarëve.

“Unë jam optimist që gjykata do të jetë e drejtë dhe do t’i lirojë”, tha ai.

Hasani tha se tani do të dëshmojnë dëshmitarët e mbrojtjes, në mesin e të cilëve ka zyrtarë të tillë që gjatë asaj peridhe “kritike penale” kanë qenë “elitë në të dy anët e Atlantikut”.

“Mund t’i kesh 10 dëshmitarë, por gjyqi e vlerëson lirshëm a me ia falë besimin një dëshmitari siç është Nazim Bllaca, me atë të atij Xhafer Shatrit, që ishte mizerie”, tha ai.

“Pse duhet sundimi i ligjit me Bllacën i cili ka pranuar, nuk është veç punë e Serbisë, por ka pranuar, për shkak se s’ia kanë dhënë paratë për të vrarë të tjerë”, tha ai.

Hasani tha se “s’ka asnjë logjikë kultura perëndimore, me ua falë besimin atyre provave, dhe Clarkut e të tjerëve jo”.

“Për shembull, Wesley Clarku ka qenë njeri më i informuar, pas presidentit amerikan, shefit të CIA, në territor të Europës në atë periudhë”, tha ai.

Dëshmitë, si ajo e Nazim Bllacës apo “Xhaferin, si menaxher i tij”, Hasani tha se nuk kanë “kurrfarë fuqie prodhuese”, në raport me “këta që kanë qenë shërbimi i dorës së parë”.