Hasani: Deharit është dashur t’i merret e drejta, në LVV s’e njohin gjyqësinë kushtetuese, Gjykata s’e interpreton vetëm tekstin, por edhe shton fjalë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se aktgjykimi i fundit i organit më të lartë për interpretimin e Kushtetutës është “jashtëzakonisht i qartë”, për dallim prej “pararendësit të tij”.
Ai tha në Frontal në T7 se tani, në lidhje me konstituimin e Kuvendit, “është e qartë për secilin se çfarë duhet të bëjë”.
“Ky dispozitiv objektivisht është në favor të tyre, pa asnjë diskutim, meqenëse qartë i jep sqarime dhe një afat të caktuar, një muaj sa i përket mënyrës se si duhet të realizohet prerogative kushtetuese”, tha Hasani, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje.
“As aktgjykimi, as Kushtetuta nuk thonë që partisë fituese i takon kryetari i Kuvendit me çdo kusht dhe kryetari i qeverisë me çdo kusht. Në fakt, as në praktikë kjo nuk ka ndodhur. Ka qenë pjesë e proceseve politike, për të cilat nuk i takon Gjykatës Kushtetuese për të vendosur”, tha Hasani.
Në dispozitivin e aktgjykimit të publikuar të premten, Hasani tha se “janë dy gjëra që janë problematike”.
“Çështja e urdhërimit të deputetëve për të votuar, dhe shihet qartë që është përgjigje në shqetësimet e Vetëvendosjes sa i përket interepretimit se si duhet të votojnë deputetët, dhe e dyta, është pak problematike çështja në gjetje kushtetuese të zotit Dehari dhe tolerimi i tij që të vazhdojë”.
Hasani tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka abuzuar me pushtetin dhe atij “është dashur t’i merret e drejta” për ta udhëhequr seancën.
LVV-ja tha se Gjykata Kushtetuese “krijoi norma të reja juridike dhe imponoi rregulla që nuk kanë bazë në Kushtetutë”.
“Unë i kam dëgjuar, për fat të keq, edhe zonjën Haxhiu, edhe plot të tjerë që thonë ‘kështu s’ka kurrkund’. Tash ti kur nuk lexon asnjë libër, kur nuk e njeh e njeh gjyqësinë kushtetuese, të duket që askund në botë nuk ka kështu. Dhe unë po u them të gjithëve, ata që duan pa lekë, para pak ditëve i kam nxjerrë në internet librat e mi për gjyqësinë kushtetuese, që është diku mbi 1000 faqe. Dhe unë i ftoj ta lexojnë kapitullin 15 për praktikat e gjyqësisë kushtetuese nëpër krejt botën”, tha ish-kryetari i Kushtetueses.
Hasani përmendi shembullin e Gjykatës Kushtetute të Gjermanisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Italisë.
“Ata i thonë aktgjykime shtesë. Gjykata jo vetëm që tekstin e Kushtetutës e interpreton strikt në kuptimin tekstual, por edhe shton fjalë”, tha ai.
“Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, ta zëmë, e shfuqizon ligjin, por thotë hyn në fuqi pas 6 muajsh. Një vit i jep Kuvendit kohë ta zëvendësojë, plotësojë, apo shfuqizojë atë ligj”, tha Hasani.
Ky koncept i gjyqësisë kushtetuese, Hasani tha se “nuk është i sotit”.