75 Mall Live Search
14:02 / E Premte, 10 Tetor 2025 / Z S

Hasani: Kuvendi s’është i konstituar, zgjedhja e Rashiqit fund e krye jokushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë për KosovaPressin, se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar.

Me gjithë faktin që kryeparlamentari Dimal Basha, në seancën e sotme, konstatoi konstituimin e legjislaturës së nëntë me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga komuniteti serb, Hasani thekson se procedura e zgjedhjes së Rashiqit për nënkryetar është “fund e krye, jokushtetuese”.

Ai deklaron se nëse rasti dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ka bazë të fortë kushtetuese për kontestimin e zgjedhjes së sotme të Rashiq.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare thotë për KosovaPressin se edhe pse Rashiq është serb, nuk e përfaqëson komunitetin serb për qëllimet e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, nënkryetari serb duhet të propozohet nga partia që ka fituar shumicën e votave nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Një gjë e tillë, sipas Hasanit, është e qartë si në Kushtetutë, ashtu edhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ku siç thotë ai serbët e humbin këtë të drejtë vetëm nëse refuzojnë të propozojnë me shkrim deputetët nga radhët e partisë serbe që ka fituar shumicën e vendeve në kuvend.

Sipas tij, përdorimi i mundësisë së shortit për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, bëhet vetëm atëherë kur nuk ka konsensus në mesin e komunitetit se kush nga deputetët e tyre duhet të propozohet.

Në lidhje me këtë, Hasani thotë se interpretimi që iu bë sot aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese “është bashibozukçe dhe çon, pa asnjë diskutim, drejt përjashtimit të serbëve lokalë nga shfrytëzimi i të drejtave të tyre kushtetuese”./Indeksonline/