75 Mall Live Search
23:22 / E Hënë, 30 Qershor 2025 / Burim

Hasani: Mënyra e sjelljes së Kurtit ndaj partive të tjera është shantazh

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për ndërhyrje të papërshtatshme dhe të papranueshme në procesin e caktimit të nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Këto komente ai i bëri në emisionin “Debat Plus” në pjesën “Debat Analizë” me gazetarin Ermal Panduri, duke komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Hasani tha se Kurti nuk ka të drejtë kushtetuese që të marrë pjesë në vendimmarrje apo diskutime për pozitat në Kuvend, përfshirë edhe atë të nënkryetarit.

“Kurti mund të flasë vetëm për partinë e vet dhe mund të thotë se nuk e voton propozimin, por nuk ka të drejtë të marrë përsipër të diskutojë apo të caktojë për nënkryetarin. Kjo është shantazh politik,” deklaroi Hasani.

Ai nënvizoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i drejtohet kryetarit të ardhshëm të Kuvendit dhe forcave politike që do të jenë të përfaqësuara aty, e jo kryeministrit apo ndonjë figure tjetër ekzekutive.

“Kurti nuk është palë e autorizuar me Kushtetutë për të diskutuar çështjen e nënkryetarit të Kuvendit. Ai mund të flasë vetëm për partinë e vet. Propozimi nuk i drejtohet atij, as z. Dehari, por kryetarit të Kuvendit, pasi të zgjedhet. Forcat politike janë adresantët e këtij vendimi, jo Kurti,” shtoi Hasani.

Ai gjithashtu theksoi se Gjykata Kushtetuese është dashur ta sqarojë këtë çështje më qartë në dispozitivin e aktgjykimit, për të shmangur keqkuptimet apo interpretimet arbitrare nga zyrtarët ekzekutivë.

“Kjo mënyrë e sjelljes është shantazh politik. Në këtë proces nuk është i përfshirë populli shumicë në mënyrë direkte, përveç nëpërmjet votës. Çdo veprim ka koston e vet dhe kjo i bën më të forta politikat e pranuara në Ohër,” përfundoi Hasani.