75 Mall Live Search
14:07 / E Premte, 18 Korrik 2025 / Z S

Hasani për bllokimin institucional: Pasojë juridike mund të jetë decertifikimi i deputetëve

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i paraparë nga Kushtetuesja, pasojë juridike për deputetët mund të jetë decertifikimi i tyre.

Sipas tij, ky është skenari më real që mund të ndodhë në krizën aktuale politike, megjithatë thekson se Kushtetuesja, në aktgjykimin ku do të caktohet decertifikimi i deputetëve, duhet të lokalizojë shkeljen dhe shkelësin e Kushtetutës.

Hasani, në një intervistë për KosovaPressin, thotë se kryeministri në detyrë, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të bëjë marrëveshje politike me askënd.

Sipas tij, Kurti nuk dëshiron të formojë qeverinë për shkak të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilit, siç thotë, i ka dhënë formën e autonomisë, si dhe për shkak të korrupsionit dhe hajnisë gjatë katër vjetëve të fundit, që sipas Hasanit, Kurti tani nuk po mundet t’i menaxhojë.

Kuvendi i Kosovës, edhe pas pesë muajve nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të zgjedhë organet e legjislativit, çka më pas do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese, në fund të muajit qershor, ka dalë me një aktgjykim ku i obligon deputetët ta konstituojnë kuvendin deri më 26 korrik. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, ndërsa kanë mbetur më pak se dhjetë ditë nga afati, nuk po arrihet pajtimi për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe organeve të tjera të kuvendit.

Sipas Hasanit, Kushtetuesja ka gabuar që nuk ka caktuar pasojë juridike në afatin e paraparë tridhjetëditor, por shton se ajo mund të e përcaktojë këtë më vonë, përmes kërkesave të reja të dorëzuara nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së.

“Afati juridik që nuk prodhon pasojë është absurd. Kjo ka qenë gabimi më i madh i Kushtetueses. Duhej që në pjesën operative të specifikohej qartë se çfarë veprimesh duhet të pasojnë. Gjykata Kushtetuese mund të operacionalizojë shumë dimensione dhe të thotë: ‘Kjo është pasojë, ajo është pasojë’, përfshirë edhe decertifikimin. Kjo është e mundshme. Nëse caktohet decertifikimi, atëherë duhet të lokalizohet edhe shkelja dhe shkelësi i Kushtetutës. Gjykata duhet ta shterë këtë çështje duke u bazuar në arsyetimin e saj – po flas për gjykimin e fundit – dhe të adresojë prerogativën e partisë fituese të zgjedhjeve. Sepse ky problem do të rikthehet sa herë që vendi shkon në zgjedhje. Duhet të sqarohet nëse kjo është e drejtë kushtetuese apo thjesht një privilegj që mund të abuzohet pa fund. Nëse gjykata e sqaron këtë, mund të përcaktojë edhe kur humbet kjo e drejtë, dhe atëherë të çojë te decertifikimi – duke respektuar parimin e proporcionalitetit”, thekson Hasani.

Duke e analizuar politikisht situatën, Hasani nuk e sheh të mundshme arritjen e një marrëveshjeje politike para datës 26 korrik. Sipas tij, Kurti – lideri i partisë që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk dëshiron ta formojë qeverinë e re.

“Nga aspekti politik, unë besoj që zoti Kurti nuk e ka ndërmend të bëjë koalicion me askënd. Jam thellësisht i bindur që kjo do të shkojë deri në pafundësi, edhe sikur të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ai vendim i fundit ishte i qartë, por pjesa operative e tij ishte e pazbatueshme. Kjo çështje mund të zgjidhet nëse ka vullnet, por nuk ka. Pse mendoj që Kurti do ta çojë deri në fund këtë krizë? Janë dy arsye: Së pari, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Ai i ka dhënë mish një strukture që deri tani ka qenë nebulë. Me konceptin e vetëmenaxhimit, ka krijuar bazën për një sistem paralel kushtetues dhe ka pranuar statutin. Këto nuk ndryshohen lehtë. Ky është faktori i parë pse ai dëshiron të pengojë implementimin dhe të paraqitet si “martir” në një proces që në fakt është produkt i tij. Së dyti, korrupsioni dhe hajnia në këtë qeveri janë bërë kaotik dhe horizontal. Në qeveritë e mëparshme korrupsioni ka qenë endemik, por tani është i shpërndarë gjithandej dhe i pamundur për t’u menaxhuar nga qeveritarët”, thekson Hasani.

Sa i përket rolit të presidentes Osmani, Hasani thekson se ajo nuk ka të drejtë që përmes pyetjeve kushtetuese të kërkojë pasojat juridike për moskonstituimin e kuvendit pas afatit të caktuar./Indeksonline/