23:26 / E Martë, 28 Mars 2023 / MSH

Hasani për moscaktimin e Kryeprokurorit të Shtetit: Presidentja po cenon funksionin primar kushtetues

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka vlerësuar se Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po cenon funksionimin normal të institucioneve shtetërore duke shkelur njëkohësisht edhe të drejtat e njeriut për të gjithë aplikantët për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit që mbetet akoma i pacaktuar nga ajo.

I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Hasani ka cilësuar se arsyetimi publik i saj ishte skandaloz dhe se përgjigja, do duhej të ishte e prerë.

“Arsyetimi publik pse nuk e ka nënshkruar është skandaloz, i papranueshëm…Presidenti i Republikës ose shefshteti i cili funksionin bazik e ka të përkujdeset për funksionimin normal të institucioneve shtetërore, një prej tyre është edhe kryeprokurori i shtetit, nuk mundesh…ajo nuk e garanton funksionimin normal sepse ushtruesi i detyrës nuk është garantuar prej presidentes. Është caktuar prej mekanizmave rregullativ të brendshëm. Ajo nuk ka të drejtë që asnjëherë të rrezikojë funksionimin normal të institucioneve. Duhet të thotë PO-JO, nuk mund të thotë po i pres palët…cili ishte arsyetimi absurd, skandaloz?”, ka deklaruar ai.

I pyetur se a i bie kjo që presidentja po i shkel të drejtat e njeriut, ai tha se po e bënte “në mënyrën më brutale të mundshme.

“Ajo ishte shkelje brutale e të drejtave të njeriut të atyre që kanë konkuru, që të gjithëve… në mënyrën më brutale të mundshme dhe po cenon funksionin primar kushtetutes, funksionimin normal të institucioneve shtetërore”.