75 Mall Live Search
22:05 / E Hënë, 17 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Hasani priti zyrtarin e lartë të ETBF-s, Marios Nicolaides

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur në zyrën e tij, anëtarin e Federatës Evropiane të Boulingut (ETBF), Marios Nicolaides, njëherit kryetar i Federatës Mesdhetare të Boulingut, si dhe delegat teknik i ETBF-s, etj.

Nicolaides shoqërohej nga kryetari i Federatës së Boulingut të Kosovës (FBOUK), Fitim Fazliu dhe sekretari i përgjithshëm, Mirsad Sedjiu, me ftesë të të cilëve qëndroi në Kosovë për të mbajtur trajnim me gjyqtarët e boulingut.                                                                                                                                   
Presidenti Hasani e falënderoi Nicolaidesin për trajnimin e mbajtur me gjyqtarët, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ETBF po i jep FBOUK-s në zhvillimin e saj.     

Të dy palët bashkëbiseduan për bashkëpunimin që Komiteti Olimpik i Kosovës ka me Federatën e Boulingut të Kosovës.                                                              
Nicolaides i premtoi KOK-ut dhe FBOUK-s, që nëse përmirësohet infrastruktura në Kosovë, mund t’i japë federatës tonë organizimin e Kampionatit Mesdhetar të Boulingut për vitin 2021, për çka mori mbështetjen e plotë të presidentit Hasani.                                                                        
FBOUK është anëtare me të drejta të plota e ETBF-s, që nga viti 2015, kurse në fund të muajit të kaluar u pranuan edhe në Federatën Mesdhetare të Boulingut./IndeksOnline/