75 Mall Live Search
13:23 / E Diele, 24 Gusht 2025 / Burim

Hasani: S’e përjashtoj mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet dhe Kushtetuesja të vihet sërish në lëvizje

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se i takon politikës që, brenda normave dhe parimeve kushtetuese, të gjejë rrugë për të dalë nga ngërçi politik.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se nuk e përjashton mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet brenda 30-ditësh dhe Gjykata Kushtetuese “të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore”.

Sipas Hasanit, i cili është profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, aktgjykimi i fundit i Kushtetueses lidhur me konstituimin e Kuvendit është i qartë, por shton se bazuar në sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje, afati 30-ditor i vendosur nuk do të respektohet.

“Nëse gjykojmë sjelljet e zotit [kreut të LVV-së, Albin] Kurti, gjendja po shkon drejt moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai po zbaton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të pengimit të konstituimit ose inaugurimit të Kuvendit të Kosovës”, thotë ai.

Hasani vlerëson se e vetmja mangësi e aktgjykimit të Kushtetueses është që aty nuk qartësohet sanksioni kushtetues. Si sanksion të mundshëm ai përmend decertifikimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, ose kur të identifikohen rastet e shkelësve të vendimeve të Kushtetueses, ata sipas tij, duhet të “eliminohen nga pozitat drejtuese, në këtë rast, në procesin e konstituimit”.

Aktgjykimi i Kushtetueses – i publikuar i plotë më 18 gusht – u jep 30 ditë kohë deputetëve të përmbyllin procesin e konstituimit. Aty thuhet se kryeparlamentari zgjidhet me votim të hapur dhe emri i një kandidati mund të hidhet në votim deri në tri herë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, a kanë shkaktuar paqartësi vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës?

Enver Hasani: Jo, askund nuk mund të fajësohet Gjykata Kushtetuese për paqartësi. Si ky aktgjykim, ashtu edhe ai i qershorit, janë të qartë. Problemi ka lindur dhe lind gjithmonë në terrenin politik. Kështu ka qenë edhe në të kaluarën. Dispozitat kushtetuese kanë qenë dhe mbeten të qarta, duke bërë dallim mes konstituimit (inaugurimit) të Kuvendit të Kosovës dhe punës së Kuvendit të Kosovës pas konstituimit, si organ kushtetutvënës, ligjvënës, mbikëqyrës, deliberativ dhe përfaqësues i popullit të Kosovës dhe i qytetarëve të saj.

Konstituimi është inaugurimi solemn i Kuvendit të Kosovës pas certifikimit të zgjedhjeve nacionale, ashtu siç e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në vitin 2014. Në këtë inaugurim solemn nuk mund të ketë grup tjetër parlamentar përveç atyre që dalin nga vullneti i lirë dhe kutitë e votimit. Vetëm pas inaugurimit mund të vijë deri te riformimi dhe riformatizimi i grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, edhe atëherë, ai rikonfigurim dhe riformatizim nuk mund të ndryshojë strukturën e organeve të Kuvendit të Kosovës dhe as ato që lidhen me punën e tij. Për këtë ekzistojnë aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që nuk lejojnë ndryshimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe të strukturës së Komisionit Qendror Zgjedhor si pasojë e fluktuimeve partiake që ndodhin natyrshëm në Kuvend dhe në terrenin politik. Çdo qasje ndryshe do ta zhvlerësonte kuptimin e zgjedhjeve nacionale.

Interpretimet ndryshe që janë bërë dhe i bëhen këtij dimensioni – pra inaugurimit të Kuvendit të Kosovës dhe natyrës së tij juridiko-kushtetuese – janë dashakeqe dhe vijnë nga njerëz që nuk kanë njohuri themelore për të drejtën kushtetuese dhe të drejtën parlamentare si pjesë e saj. Në këtë dashakeqësi, jo rrallë shohim shfaqje të çoroditura nga individë që dikur kanë qenë militantë të një partie, ndërsa sot janë kundër së njëjtës parti.

Kushtetuta, megjithatë, mbetet e njëjtë dhe nuk ka ndryshuar asgjë në konceptimin e inaugurimit të Kuvendit të Kosovës: ai duhet të bëhet patjetër, dhe mosinaugurimi i tij nuk mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme të përgjithshme. Kjo është përgjegjësi e grupeve parlamentare, ashtu siç kanë dalë nga kutitë e votimit, dhe asnjëherë ndryshe.

Partia e parë fituese, që është gjithmonë fituese relative, sikurse edhe në vitin 2021, ka vetëm një privilegj: t’i prijë procesit në mënyrën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç interpretojnë ato nenet 66.1 dhe 67 të Kushtetutës dhe dispozitat relevante ligjore e nënligjore mbi inaugurimin e Kuvendit të Kosovës.

Mangësia e aktgjykimit, “qartësimi i sanksioneve kushtetuese”

Radio Evropa e Lirë: Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese a ofron saktësi për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit?

Enver Hasani: Po. Aktgjykimi i fundit, pa asnjë dyshim, ofron saktësi për zhbllokimin e procesit të inaugurimit të Kuvendit të Kosovës. Partia e parë, ose koalicioni fitues i zgjedhjeve të shkurtit 2025, ka prerogativën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Me këtë prerogativë vjen edhe përgjegjësia, që nënkupton se e drejta e dhënë kushtetuese nuk mund të abuzohet pafundësisht, sepse tashmë ekziston një afat 30-ditor brenda të cilit kjo e drejtë duhet të ushtrohet. Përveç kësaj, aktgjykimi i fundit ka treguar qartë edhe mënyrën e inaugurimit, duke e kufizuar të drejtën e propozimit të një kandidati vetëm në tri herë.