20:47 / E Enjte, 25 Shkurt 2021 / Blerim

Haskuka akuzon disa bashkëpartiakë, përçahet VV në Prizren

Grupi i kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kanë reaguar ndaj një postimi të kryetarit të kësaj komune, Mytaher Haskuka, i cili ka akuzuar disa asamblistë të VV-së se po koordinohen me opozitën për sabotimin e projekteve qeveritare.

“Është për keqardhje që jo për herë të parë edhe disa asamblistë të VETËVENDOSJES koordinohen me këta të PDKsë, LDKsë, NISMAs dhe AAKsë, për sabotimin e projekteve qeveritare”, kishte shkruar Haskuka në Facebook.

Pas kësaj, Asamblisti i VV-së, Karanfil Haxhillari, në seancën e sotme të zhvilluar në Kuvendin Komunal të Prizrenit këtë akuzë e ka quajtur të turpshme dhe jashtë logjikës, duke thënë se për mungesën e numrave në Kuvend nuk ia ka fajin as kuvendari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as Lëvizja Vetëvendosje dhe se numrat i ka humbur vet duke mos u konsultuar me ta.

Ai i ka thënë Haskukës se kjo deklaratë është ‘krejt jashtë logjikës’, sepse asamblistët gjithherë kanë votuar pro.

“Turp të qoftë kryetar. Të sulmosh anëtarët e subjektit tënd, pa asnjë fakt, vërtetë është për të ardhur keq, këta kuvendarë s’i pyete asnjëherë, gjithë pikat e rendit të ditës në Kuvend, janë hedhur pa u konsultuar me grupin e kuvendarëve, kjo akuzë e rëndë, do të trajtohet edhe në organet e partisë”, ka thënë Haxhillari.