Haskuka: Arsyetimi i cilitdo investitor që shkel ligjet duke thënë se hap vende pune, mashtrim i kulluar!
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një shkrimi të bërë në llogarinë Facebook ka thënë se mungesa e sundimit të ligjit është ndër arsyet kryesore për mungesë të zhvillimit ekonomik dhe ky është edhe faktori kryesor që pengon investimet në Kosovë.
“Prandaj arsyetimi i cilitdo investitor që shkel rregullat dhe ligjet duke thënë se po hap vende të punës, është mashtrim i kulluar. Në të njëjtën kohë, kjo bllokon edhe investimet e ligjshme, siç është ndërtimi i një rruge të paraparë me plan urbanistik.
Në rastin në fjalë, interesi i një individi është përballë interesit të 200,000 banorëve të komunës sonë. Këtë dukuri e kemi përjetuar me vite, andaj jemi ku jemi”, ka shkruar Haskuka, përcjellë Indeksonline.
Tutje ai ka shkruar se komuna përkundër vështirësive të shumta është e përkushtuar që Prizrenin ta bëjë një vend ku sundon ligji, i cili vlen njësoj për të gjithë, dhe kështu t’ia kthejë edhe perspektivën e zhvillimit në qytetin tonë.
“Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa rend dhe ligj”, ka përfunduar i pari i Prizrenit./Indeksonline/