14:41 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Haskuka kundërshton rinumërimin: Procesi në Prizren ishte i rregullt (Video)

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka në një konferencë për media ka folur lidhur me vendimin e PZAP-it që kjo komunë dhe Prishtina të shkojnë në rinumërim.

Haskuka ka thënë se në Prizren nuk ka pasur asnjë parregullsi dhe se për këtë nuk ka nevojë të shkohet në rinumërim, raporton Indeksonline.

“Vetëm ne raportuam për parregullsitë nga ana e vëzhguesve të PDK-së të cilët janë munduar të ndikojnë te votuesit, por pavarësisht këtyre kemi vlerësuar se procesi ishte i rregullt. Prizreni dhe Prishtina edhe sipas raportit të mbikëqyrësve të BE-së nuk përmenden për parregullsi në zgjedhje”, ka thënë Haskuka.

Se procesi ishte i rregullt, sipas tij ka thënë edhe shoqëria civile e cila ka monitoruar zgjedhjet e së dielës në 19 komuna.

“Të gjitha librat në Prizren janë përshtatur me votuesit. Prandaj diferenca jonë në Prizren është thelluar kohë pas kohe dhe kur PDK-ja e kuptoi këtë u ankua në KQZ duke sjell deklarata të vëzhguesve të tyre, të cilët kanë raportuar për fotografim të votës.

Ankesa u bë pardje bazuar në dy deklarata të vëzhguesve të PDK, e të njëjtën kohë një vëzhgues erdhi në Prishtinë dhe tha se distancohet nga ajo që e ka thënë ditë më parë, e që bie se ka folur nën trysni, duke tërhequr deklaratën e parë”, ka theksuar Haskuka.

Ai vlerëson se vendimi për Prizren u bë në bazë të një ankese nga një deklaratë e dobët dhe asgjë më shumë.

“Një provë e cila tregon se vëzhguesit e PDK kanë deklaruar diçka nën trysni, PZAP nuk e ka marr parasysh fare. Ky është vendim politik dhe kërkoj të bashkohemi për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve dhe këto rezultate duhet të pranohen nga gjyqtarët e PZAP që po bëjnë vepra penale”, ka përfunduar Haskuka. /Indeksonline/