Haxhi Avdyli në mbështetje të Vjosa Osmanit, fton opozitën ta votojë
Deputeti i Listës Guxo Haxhi Avdyli, ka deklaruar se Vjosa Osmani është personi më i duhur për të vazhduar edhe një mandat tjetër si presidente e vendit.
Avdyli në një deklaratë për “Indeksonline” theksoi se, duke u bazuar në performancën dhe përfaqësimin e saj deri më tani, Osmani plotëson të gjitha kriteret për presidente të Republikës së Kosovës.
“Duke u bazuar në performancën e saj, në përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare dhe në kriteret që kërkohen për presidente, Vjosa Osmani është numri Një i personave që i plotëson këto kritere,” u shpreh ai.
Sipas tij, Osmani ka dëshmuar pavarësi politike dhe është figurë apartiake, duke mos mbajtur lidhje me asnjë subjekt politik, përfshirë edhe partinë që e ka krijuar. Ai shtoi se edhe në aspektin e kërkesave që shpesh i artikulon opozita, Osmani përmbush standardet e kërkuara për unitet dhe përfaqësim të denjë.
Avdyli deklaroi se ai personalisht ka qenë ndër përkrahësit më të mëdhenj të Osmanit që nga koha kur të dy ishin pjesë e LDK-së, duke theksuar se përkrahja e tij është “maksimale dhe e palëkundur”.
Deputeti i Listës Guxo theksoi gjithashtu se partitë që promovojnë orientimin euroatlantik të Kosovës dhe mbështetjen ndaj SHBA-së dhe BE-së duhet ta mirëpresin vazhdimin e mandatit të saj.
“Samitet e fundit ndërkombëtare ku ka marrë pjesë presidentja Osmani e kanë dëshmuar qartë përfaqësimin e saj të suksesshëm të Kosovës. Prandaj, mendoj se edhe opozita duhet ta mbështesë një mandat të dytë të saj,” deklaroi Avdyli.
Ndërsa ka dhe një rekomandim për kolegët e tij nga opozita.
“Mendoj që edhe partitë e tjera, veçanërisht ato që flasin për orientimin euroatlantik të Kosovës, për përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së, duhet ta kenë parasysh se Vjosa Osmani është në këtë linjë. Besoj se, në veçanti, opozita do të duhej ta mirëpriste edhe një mandat të Vjosa Osmanit, duke u bazuar në orientimin e tyre, si dhe në aspektin e përfaqësimit sa më të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Këtë e vërtetuan edhe samitet e fundit në të cilat ishte prezente Vjosa Osmani.
Sidoqoftë, ne jemi deputetë dhe normalisht që po e luajmë rolin tonë pozitiv në këto zhvillime. Nuk po veprojmë me kryeneçësi apo ultimatume, por mendojmë dhe japim rekomandim, veçanërisht për kolegët tanë nga opozita, që Vjosa Osmanit duhet t’i vazhdohet edhe një mandat, sepse tashmë kemi një mandat të saj të përfunduar me sukses”, ka thënë Avdyli për Indeksonline.

