75 Mall Live Search
14:54 / E Enjte, 25 Shtator 2025 / S Z

Haxhijaha: Sfida më e madhe, procesi i unifikimit të çmimeve të barnave

Dita Botërore e Farmacistëve kujton rolin thelbësor që farmacisti ka në sistemin shëndetësor dhe në jetën e përditshme të pacientëve.

Kështu thotë nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha më rastin e shënimit të kësaj dite botërore.

Ai rithekson rëndësinë e farmacistëve për këshillimin profesional dhe përdorimin racional e të sigurt të barnave.

Haxhijaha potencon se farmacisti nuk është vetëm shpërndarës i ilaçeve, por siç thotë ai një këshilltar i besueshëm për shëndetin që ndihmon në parandalim dhe trajtim të sëmundjeve.

Dita Botërore e Farmacistëve na kujton rolin thelbësor që farmacisti ka në sistemin shëndetësor, por edhe në jetën e përditshme të pacientit. Tema e sotme, që ka qenë edhe motja ‘Mendo shëndetshëm dhe mendo farmacistin’. Edhe një herë e ritheksojmë rëndësinë e këshillimit profesional dhe përdorimit racional dhe të sigurt të barnave. Por, gjithashtu edhe të promovimit të stilit të shëndetshëm të jetesës. Ne njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojmë që farmacisti nuk është vetëm shpërndarës i barnave, por një këshilltar i besueshëm për shëndetin, që ndihmon në parandalim, trajtim dhe në edukim shëndetësor”, thotë Haxhijaha.

Në intervistën për KosovaPress, Haxhijaha thotë se janë në fazën e finalizimit të një strategjie nacionale për farmacitë, e cila pritet të rekomandohet tek Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, kjo strategji do të përfshijë një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me kushtet e licencimit të farmacive.

Ai shton se një nga qëllimet është ndryshimi i terminologjisë për farmacitë, ku termi aktual “qarkullues me pakicë” në liçensat e farmacive të transformohet në “institucion shëndetësor”.

Ky ndryshim, sipas Haxhijahës, do të mundësojë që farmacistët të kryejnë matjen e glikemisë, niveleve të vitaminave dhe mineraleve tek pacientët.

Ne e kemi përgatitur dhe së shpejti do ta finalizojmë një strategji nacionale të farmacisë që do të rekomandohet edhe tek Ministria e Shëndetësisë. Besojmë që në fund të këtij muaji, veçse do të përfundojë. Brenda kësaj strategjie kemi punën e barnatoreve të liçesuara, proceset që kemi probleme edhe ne, po edhe inspektoriati. Këto hapësirat ligjore që janë të zbrazura të plotësohen dhe çdo herë ta kemi farmacistin prezent në barnatore. Kushtet e liçensimit të barnatoreve…Përveç kësaj kemi edhe formatet e specializimeve. Brenda strategjisë do t’i kemi edhe termet që barnatorja është institucion shëndetësor dhe nuk është qarkullues me pakicë. Për momentin tek liçensa valide e barnatores shkruan qarkullues me pakicë dhe kjo i ndërprenë shumë punë të tjera të cilat është në dobi të barnatores. Duhet të përmirësohet të bëhet institucion shëndetësor dhe më pastaj ne nuk kemi kurrëfarë problemi edhe ta bëjmë matje e glikemisë, vitaminave dhe mineraleve”, potencon Haxhijaha.

Në Ditën Botërore të Farmacistëve, specialisti i Farmacisë Klinike, Astrit Haxhijaha tregon se një ndër sfidat kryesore të barnatoreve kohëve të fundit ka qenë procesi i unifikimit të çmimeve të barnave.

Sfida më e madhe që e kemi pasur ka qenë procesi i unifikimit të çmimeve të barnave, ku fillimi nuk ka filluar mirë. Mirëpo, me rekomandimet, me një komunikim indirekt, sepse ne nuk kemi pasur takime asnjëherë me ministrin e Shëndetësisë në detyrë. Mirëpo, tani ky proces, apo komisioni që është për përcaktimin e çmimeve vetëm ka filluar që të reflektojë në mënyrë pozitive”, thotë Haxhijaha.

25 shtatori shënon Ditën Botërore të Farmacistëve.

Dita Botërore e Farmacistëve u miratua nga Këshilli i Federata Ndërkombëtare e Farmacisë (FIP) në Kongresin Botëror të Farmacisë dhe Shkencave Farmaceutike të vitit 2009 në Stamboll, Turqi. 25 shtatori u zgjodh si datë pasi është dita kur FIP u krijua në vitin 1912. Çdo vit, tema përcaktohet nga Buroja e FIP. Qëllimi i Ditës Botërore të Farmacistëve të FIP është të inkurajojë aktivitete që promovojnë dhe mbrojnë rolin e farmacistit në përmirësimin e shëndetit në çdo cep të botës. Kjo ditë mbyll Javën Botërore të Farmacisë të FIP (19-25 shtator).