Haxhiu dhe Kadaj-Bujupi vizitojnë familjen e Doarsës, studentes nga Gjakova që ndërroi jetë në Tetovë
Në emër të presidentes Vjosa Osmani, këshilltarja Donika Kadaj-Bujupi, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vizituan familjen Spahija në Gjakovë për të ndarë dhimbjen e humbjes së vajzës së tyre, Daorsës, një të reje të jashtëzakonshme dhe studente të shkëlqyer të mjekësisë në Tetovë.
“Ajo shprehu ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për prindërit, Arberin dhe Diellzën, si dhe për gjithë familjen Spahija. Dhimbja e tyre është e pamasë, dhe humbja e Daorsës prek zemrat e të gjithëve” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në emër të presidentes, Kadaj-Bujupi i siguroi se institucionet e vendit do të qëndrojnë pranë tyre me përkushtim të plotë dhe mbështetje të vazhdueshme, përgjatë gjithë procesit të hetimeve që po zhvillohen nga autoritetet kompetente.
“Në këtë moment të rëndë, znj. Kadaj-Bujupi u bashkua me familjen në dhimbje dhe solidaritet, duke nderuar kujtimin e Daorsës dhe duke garantuar se institucionet do të jenë pranë tyre në çdo hap në kërkim të drejtësisë” deklaron Presidenca e Republikës së Kosovës.

