Haxhiu: Dhuna seksuale gjatë luftës nuk duhet të mbetet vetëm kujtim, por çështje drejtësie
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të muralit “Çast” në Therandë, vepër e dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se muret e qyteteve të Kosovës kanë qenë historikisht hapësira ku janë shprehur kërkesat për liri, drejtësi dhe kujtesë kolektive.
“Në qytetet e Kosovës, shumë gjëra së pari janë shfaqur në mure. Thirrjet për protesta, parullat ‘Kosova Republikë’, fotografitë e të zhdukurve, poezi. Muret e qyteteve tonë kanë qenë shenjë se ky vend ende merr frymë”, ka deklaruar ajo.
Duke folur për simbolikën e muralit, Haxhiu theksoi se “Çast” përfaqëson një thirrje për kujtesë dhe përgjegjësi shoqërore ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Murali ‘Çast’ i kushtohet të mbijetuarve dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Edhe sot, para këtij murali, fjala ‘Çast’ nuk na fton të mendojmë vetëm për një moment të kaluar. Na vendos në një prag: nga njëra anë kujtesa e një krimi që nuk duhet mbuluar asnjëherë; nga ana tjetër përgjegjësia jonë për drejtësi, për dinjitet dhe për përkujdesje shtetërore”, ka thënë Haxhiu.
Ajo nënvizoi se trajtimi i kësaj çështjeje nuk mund të kufizohet vetëm në përkujtimin e luftës, por duhet të jetë pjesë e angazhimit institucional për drejtësi dhe mbështetje.
“Republika jonë nuk mund ta shohë këtë çështje vetëm si një kujtim të luftës. Është edhe çështje e drejtësisë, e shëndetit, e dinjitetit, e mënyrës si funksionojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Por, është edhe çështje e mënyrës se si sillet familja, si sillet lagjja ndaj këtij krimi, mediat po ashtu, shkollat, institucionet e drejtësisë dhe përfundimisht zyrtarët e Republikës së Kosovës”, është shprehur ajo.
Sipas Haxhiut, drejtësia fillon që në momentin kur të mbijetuarit dëgjohen dhe trajtohen me dinjitet nga institucionet.
“Drejtësia nuk nis vetëm kur jepet një aktgjykim, nis edhe në zyrën ku i mbijetuari dëgjohet pa dyshim, ku privatësia ruhet dhe ku shteti i bëhet mbështetje”, ka theksuar ajo.
Në këtë kuadër, Haxhiu bëri të ditur se ka emëruar Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani si të dërguara të posaçme për këtë çështje, ndërsa në Presidencë është hapur edhe Zyra për Mbështetjen e të Mbijetuarave dhe të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
“Në këtë frymë, kam emëruar znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyrete Tahiri Sulimani si të dërguara të posaçme për çështjen e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Ato po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për ta mbajtur të gjallë kërkesën për drejtësi dhe për t’i dhënë kësaj çështjeje vendin që i takon në ndërgjegjen publike të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo shprehu mirënjohje edhe për ish-presidenten Atifete Jahjaga dhe Fondacionin Jahjaga për angazhimin shumëvjeçar në mbështetje të të mbijetuarve.
“E nderuar Presidente Jahjaga, ju dhe Fondacioni Jahjaga për vite me radhë e keni mbajtur të vërtetën e personave të dhunuar gjatë luftës aty ku shpesh të tjerët kanë ngurruar ose kanë hezituar që ta çojnë”, tha ajo.
Në përmbyllje, Haxhiu vlerësoi se murali “Çast” është një nderim për të mbijetuarit dhe një kujtesë e përhershme për shoqërinë kosovare.
“Ky mural është nderim për personat e dhunuar gjatë luftës, mirënjohje për ata që kanë folur dhe kujtesë për ne të tjerët se kjo e vërtetë nuk mund të mbahet më në skaj të ndërgjegjes publike. Prej sot, ky mur nuk është vetëm një pjesë në një lagje në këtë komunë, është pjesë e kujtesës sonë. Kush kalon pranë tij, le ta dijë se këtu nderohen njerëz që nuk duhet të ishin lënë kurrë vetëm”, ka përfunduar Haxhiu.

