75 Mall Live Search
13:46 / E Premte, 10 Tetor 2025 / S Z

Haxhiu: Do të nisim procedurat për dërgimin e mandatarit për kryeministër

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu deklaroi se do të fillojnë procedurat për dërgimin e mandatarit për kryeministër, Albin Kurti. Ajo nuk tregoi se kur do të ndodhë një gjë e tillë, veçse shtoi se do të vazhdojnë komunikimet edhe me deputetë të tjerë për të parë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, zgjedhjes së nënkryetarit nga pakicat serbe, Nenad Rashiq, Haxhiu deklaroi se “është i habitshëm qëndrimi i PDK-së”.

“Për mua është e habitshme qëndrimi i PDK-së. Pra, PDK-ja nuk pati votë kundër Listës Serbe, prandaj uroj që ta sqarojnë qëndrimin e tyre, sepse sot të gjithë bashkë është dashur që të jemi në të njëjtën linjë që të kontribuojmë në konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por që të mos lejojmë assesi qëndrime jo të qarta në raport me Listën Serbe, duke pasur parasysh që Lista Serbe dirigjohet nga Beogradi dhe i përfaqëson interesat e tyre në Republikën e Kosovës. Megjithatë, konsideroj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që sot Kuvendi i Republikës së Kosovës u konstituua, pra është zgjedhur nënkryetari i fundit, zotëri Nenad Rashiq. Është lajm i mirë sepse nuk e kemi në kryesinë e kuvendit më një përfaqësues që nuk e pranon Republikën e Kosovës, por e lufton në vazhdimësi atë”, deklaroi Haxhiu.

Haxhiu tha se konsultimet dhe takimet do të vazhdojnë edhe me deputetë tjerë për formimin e qeverisë, për çka theksoi se do të fillojnë me “procedurat për dërgimin e mandatarit për kryeministër, Albin Kurti”.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje do të fillojmë me procedurat për dërgimin e emrit, mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti, kryeministrit të tashëm, por edhe të ardhshëm të Republikës së Kosovës, i cili do të drejtojë qeverinë “Kurti 3”. Ne kemi pasur mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LVV-së, pra ne si organ i LVV-së, Këshilli i përgjithshëm e ka votuar për mandatar kryeministrin Kurti. Kurti është personi më i votuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje është subjekti me mbështetjen më të madhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj natyrisht që jemi të interesuar që sa më parë të vazhdojmë me procedurat. Saktësisht kur, natyrisht që do t’ju njoftojmë. Por, po ashtu krahas kësaj ne do të vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë në mënyrë që të kuptojmë më shumë nëse kanë vullnet për të qenë pjesë e qeverisjes. Unë sot nuk mund t’ju jap detaje për këtë, por ju premtoj se do të njoftoheni sapo që të ketë diçka konkrete”, përfundoi Haxhiu.

Pas më shumë se pesë muajsh, Kuvendi i Kosovës ka konstituar legjislaturën e nëntë.

Në seancën e sotme u zgjodh deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si nënkryetar nga komuniteti serb, për të kompletuar kryesinë e kuvendit.