18:51 / E Premte, 14 Tetor 2022 / MSH

Haxhiu e quan skandaloz dënimin për vrasjen e Agonis Tetajt

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dënimit me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim për Shaban Gogajn që vrau nga pakujdesia Agonis Tetajn në shtator të 2018-ës në Deçan.

Ajo ka kritikuar shkallën e dënimit duke thënë se është vendim i padrejtë dhe skandaloz.

E para e drejtësisë ka deklaruar se as nuk ka qëllim e as mandat që të ndërhyjë në raste gjyqësore, mirëpo ka shprehur shqetësimin e saj për gjithë këtë process gjyqësor.

“Një djalë i ri, në një ditë normale e në vendin e tij të punës, vritet tragjikisht. Procesi gjyqësor ndaj personit të dyshuar është zhvilluar me shumë probleme dhe është karakterizuar me shumë çështje që e kanë penguar një proces të drejtë dhe efikas. Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm. Është vendim i padrejtë e skandaloz!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Haxhiu ka bërë thirrje që të ndjeken të gjitha rrugët ligjore për këtë rast, duke thënë se “aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo”.

“Shteti i së drejtës kërkon vendosmëri të personave që ushtrojnë detyrën zyrtare në organet që janë bartëse të sistemit të drejtësisë. Pra, kemi nevojë për prokurorë të ndershëm e profesionistë që me precizitet hetojnë rastet dhe po ashtu gjyqtarë që marrin vendime brenda suazave të ligjshmërisë dhe në përputhje me provat e faktueshme të rastit”.

“Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore”.