Haxhiu – Haradinajt: Nuk e ka për veteranët, fshihet diçka tjetër pas paralajmërimeve të tij

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se fshihet diçka tjetër pas paralajmërimeve të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, se do të nxjerrë në rrugë veteranët nëse tallën me ta.
Haxhiu ka thënë se deklarata e Haradinajt nuk ka të bëjë me listat e veteranëve por sipas saj, ai e ka me reformat në drejtësi dhe me luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
“Prej momentit kur është formuar qeveria, unë kam parë një gjuhë të tillë të Haradinajt. Nuk besoj se kjo është arsyeja kryesore, as ligji i pagave, as lista e veteranëve. Mendoj se problemet janë me reformat në drejtësi dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit. Unë mund të konsideroj se këto arsye nuk janë. Këto çka ai deklaron janë fals, sepse arsyet janë diku tjetër, por s’mund t’i përgjigjem një personi sa ka qenë kryeministër na ka treguar se çfarë dëshiron të bëjë – vendimi i parë i tij ka qenë t’ia rrisë pagën vetes, ndërsa vendimi ynë i parë ka qenë t’ia ulim pagës vetes”, tha Haxhiu në Kanal10.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se nuk janë më shumë se 20 mijë veteranë të luftës në Kosovë.
Në anën tjetër, ish-kryeministri Ramush Haradinaj deklarimet e Kurtit i ka konsideruar tallje me veteranët.
“Kurti s’po dëshiron të zbatojë kriterin e pagës minimale edhe për kategoritë e luftës. Unë po them këtu para tij, i kam duruar krejt shpifjet e dallaveret e tij e të tyre. Ka ndodh një proces gjyqësor: mos luaj më shumë me këto kategori, mos u tall më me to. Ne i dalim këtij në rrugë dhe i tregojmë a mund të hyjë ky në zyre të vet nëse tallet me këto kategori”, ka deklaruar Haradinaj.