75 Mall Live Search
13:10 / E Martë, 27 Janar 2026 / S Z

Haxhiu kërkon që të hetohet edhe kreu i KQZ-së e çdo individ që ka shkelur ligjin

Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu kërkon që të rikthehet menjëherë rinumërimin sipas rendit të komunave, transparencë e plotë dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se prokuroria duhet të nisë hetimet për të gjithë vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së.

 “KQZ-ja nga garantuese e votës në instrument të manipulimit të procesit zgjedhor. Fillimisht KQZ-ja mori vendime ne kundërshtim me Ligjin për zgjedhjet, tani KQZ-ja ka ndryshuar metodologjinë e rinumërimit në mes të procesit, duke braktisur rendin sipas komunave dhe vendvotimeve dhe duke e zëvendësuar me një proces kaotik, të fragmentuar. Ky ndryshim arbitrar ka prodhuar devijim të qartë të trendit të rezultateve dhe ka dëmtuar rëndë besimin kandidatëve dhe qytetarëve. Kur rinumërimi ndërpritet pa kriter, vazhdohet me komuna të tjera dhe humbet gjurmueshmëria e vendvotimeve, procesi bëhet i pabesueshëm. KQZ, në vend që të mbrojë integritetin e votës, po ndryshon rregullat gjatë rinumërimit, duke u shndërruar nga arbitër i paanshëm në palë aktive në deformimin e procesit zgjedhor. Kërkojë rikthim të menjëhershëm të rinumërimit sipas rendit të komunave, transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale”, ka shkruar ai.

Ai shkruan po ashtu se cdo votë e cenur është goditje ndaj demokracisë.

“Çdo votë e cenuar është një goditje ndaj demokracisë. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për të gjitha vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së e çdo individ që ka pasur guximin të shkelë ligjin, të deformojë procesin zgjedhor dhe të manipulojë vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.