75 Mall Live Search
09:49 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / Z S

Haxhiu mbështet protestën për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën sot në një takim nga kryetarja e re e Kuvendi i Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në takim u diskutua për marshin qytetar: “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, dhe shokët e tyre që po gjykohen në Hagë, si dhe për rëndësinë e një mobilizimi dinjitoz në këtë moment vendimtar të procesit.

Eliza Hoxha theksoi se marshimi është shprehje e ndërgjegjes qytetare dhe e unitetit përtej dallimeve politike.

“Ky marsh është zë i qytetarëve për drejtësi dhe dinjitet. Është moment kur shoqëria jonë tregon se di të bashkohet për çështje që e tejkalojnë politikën”, u shpreh Hoxha.

Ismail Tasholli nënvizoi se pjesëmarrja masive do të jetë mesazh i qartë për respektimin e së vërtetës dhe të drejtësisë.

“Nesër, Prishtina do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare”, tha Tasholli.

Kryetarja e kuvendit vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar në këtë moment.

“Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve”, tha Haxhiu./Indeksonline/