Haxhiu nuk tregon përkatësinë e punonjësve: Stafi i burgut do të jetë kompetent

Sot është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me qira të 300 qelive të burgut të Gjilanit.
Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet, ndërsa Kosova do të marrë 210 milionë euro.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, ka thënë se burgu i Gjilanit do të ketë staf kompetent, teksa nuk ka treguar për përkatësinë e punonjësve, por tha se do të ketë edhe zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë së Danimarkës.
“Qendra e paraburgimit në Gjilan do të jetë me staf kompetent, qoftë korrektues dhe qoftë menaxherial, që do të përkujdeset edhe për sigurinë edhe për aspektet e tjera”.
Ndërsa zbatimin dhe mbikëqyrjen e ujdisë do ta bëjnë të dyja palët.
“Palët e përfshira në marrëveshje janë punonjës të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë njësoj edhe nga radhët e Mbretërisë së Danimarkës, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë atje. Padyshim që investimet në qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit janë të domosdoshme sepse kemi qendra që kanë nevojë të ndërhyhet me investime dhe shumë shpejt do të punojmë në këtë drejtim”.
Haxhiu, mes tjerash, thotë se të gjithë të burgosurit në Kosovë do të trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Edhe qendra e paraburgimit në Gjilan ka nevojë për investime. Por, mund të them që të gjithë të burgosurit në Kosovë do të trajtohen në mënyrë të barabartë”, tha Haxhiu.