15:18 / E Hënë, 06 Korrik 2020

Haxhiu, PDK: Situata e rëndë me pandemi, të miratohet ligji anti-COVID me masa e ndëshkime të rrepta

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar qeverinë aktuale për keqmenaxhimin e situatës me pandemi, duke kërkuar që sa më parë të miratohet ligji anti-COVID 19.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu në një konferencë për media ka thënë se qeveria aktuale po i bën gabimet e ish qeverisë, duke mos marrë masa të duhura dhe menaxhuar më mirë këtë pandemi.

Më poshtë është deklarata e plotë e tij:

Situata me COVID-19 në Kosovë është e rëndë.

Vetëm brenda 48 orëve të fundit janë regjistruar 330 raste pozitive dhe 17 raste të vdekjes me COVID-19.

Ne emër timin dhe të PDK-së, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve për më të dashurit e tyre.

Po ashtu, kërkojmë që asnjë rast të mos paragjykohet dhe t’u japim mundësi dhe kohë hetimeve që ta thonë fjalën e tyre.

Nuk duhet të humbasim më shumë kohë për ta miratuar Ligjin Anti-COVID-19, i cili, sipas PDK-së, do të duhej të fokusohej në tri masa kryesore.

E para, të rregullojë vendosjen e masave për çdo sektor dhe penalizimin në detaje për çdo mos-respektim.

Kjo nënkupton masa të rrepta që përfshin mobilizim dhe bashkërendim të aktiviteteve mes institucioneve qendrore, administratës, komunave, inspektorëve e policisë, në mënyrë të kontrolluar 24 orë në betejën kundër pandemisë.

Assesi nuk do të thotë kthim në gjendjen e mbylljes totale të ekonomisë, të shoqërisë, bizneseve, kufijve apo kufizim të lirisë së lëvizjes.

Por, respektim i rreptë i rregullave dhe gjobë për këdo që i thyen ato masa, sikurse po veprojnë të gjitha vendet e Evropës.

Së dyti, gabimet e ish Qeverisë Kurti në menaxhimin e pandemisë po vazhdojnë edhe nga Qeveria e re.

Fatkeqësisht, nuk janë dëgjuar thirrjet e përsëritura të PDK-së që nga fillimi që të rritet numri i testimeve në nivel të Kosovës dhe të decentralizohet edhe në komuna.

Kosova ka kapacitete të paktën të bëjë testime deri në 1 mijë në ditë. Është e dhimbshme të dëgjosh çdo ditë qytetarët që nuk arrijnë të bëjnë teste në Kosovë dhe detyrohen të shkojnë në vendet fqinje.

Po ashtu, shumica e shteteve kanë hyrë me teste serologjike të cilat me gjithë të metat që kanë, po pasqyrojnë një ide të profilit të pacientëve të infektuar me këtë sëmundje dhe një përqindje reale që e kanë kaluar.

Fatkeqësisht, Kosova as përafërsisht nuk e di dhe nuk ka një përqindje të përafërt. PDK propozon që me këto teste të përcaktohet një mostër prej 10 mijë personash në nivel të Kosovës dhe të shikohet ku qëndrojmë si popullatë në raport me këtë sëmundje.

Së treti, që po ashtu lidhet me këtë që e theksova më lart ka të bëjë më mungesën e madhe të transparencës dhe informatave për këtë situatë – njëjtë sikurse edhe në ish Qeverinë Kurti dhe ish Ministrit Vitia.

Pra, krejt çka mësojnë qytetarët në fund të ditës janë numri i vdekjeve, i të infektuarve dhe të shëruarve.

Por, mungojnë informata të tjera bazike mbi natyrën e sëmundjes te të sëmurët, rrethanat e infektimit dhe cilat janë momentalisht vatrat më të mëdha të infektimit në Kosovë.

Pra, Kosova ka hyrë në fazën e hapjes pa rritje të kapaciteteve të reja, pa planifikim të mirë të decentralizimit të trajtimit të këtyre rasteve në komuna, të përfshirjes në një plan edhe të spitaleve private dhe mbi të gjitha – të mobilizimit të kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore.

Prandaj, kjo situatë është përgjegjësi e Qeverisë dhe Kuvendit që të veprohet sa më shpejtë që të votohet Ligji Anti-COVID-19. PDK do ta mbështesë këtë iniciativë!

Edhe njëherë falënderojmë dhe ofrojmë mbështetje të plotë për stafin shëndetësor, që po e bën këtë betejë çdo ditë dhe pa kursyer asgjë. Kërkojmë urgjentisht që Qeveria e Kosovës me vendim të vecantë ti rritë pagat e profesionistëve shëndetësorë ashtu sic ishte planifikuar me Ligjin e Pagave duke shtuar edhe rritjen sipas kërkesave të infermierëve.

Njëherësh u bëjmë thirrje qytetarëve, e veçmas bizneseve, që vërtet t’u përmbahen masave.

Të vendosim maska, të mbajmë distancën e caktuar fizike dhe të pastrojmë duart.

Mos i humb