16:48 / E Enjte, 13 Gusht 2020 / indeksADMonline

Haxhiu për arrestimin e Baliq për ngacmim seksual: Këto veprime duhet të ndëshkohen

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar arrestimin e ish ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq për dyshimet për një ngacmim seksual.

“Në Spitalin Regjional të Pejës mbrëmë është sulmuar seksualisht një grua. Abuzuesi i cili është arrestuar qenka ish-ministër i Shëndetësisë dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. I njëjti, vepër penale për ngacmim e sulm seksual, paska edhe nga e kaluara”.

“Kjo mendësi që gratë mund të sulmohen e dhunohen me kaq lehtësi, përveç e papranueshme duhet të jetë e ndëshkueshme. Së pari nga shteti e pastaj edhe nga shoqëria. Institucionet shëndetësore, dhe jo vetëm, është e patolerueshme të shndërrohen në vende ngacmimi e dhunimi i grave”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj veprime të tilla nuk duhet të tolerohen por të ndëshkohen.

“Çfarëdo injorimi i veprimeve të tilla çnjerëzore nga ana e qeverisë e institucioneve është miratim që sulmet e dhuna seksuale të vazhdojnë të ndodhin”.