Haxhiu për Thaçin: Është në muajt e fundit si President, nuk i bën përshtypje që po shkel kushtetutën

Ministrja e Drejtësisë në detyrë në Republikën e Kosovës, Albulena Haxhiu, komentoi në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Euronews Albania situatën politike në Kosovë si dhe takimin e djeshëm të presidentit Hashim Thaçi, me pjesëtarë të partive politike.
“Po, unë isha dje në takimin jo kushtetues të Presidentit Thaçi, i cili kishte për qëllim të merrte opinionin e partive politike në raport me situatën aktuale. Ishte takim jo kushtetues për faktin se kushtetuta e Republikës së Kosovës në rrethana të tilla nuk lejon presidentin që të ftojë në takim partitë politike përveç subjektit që ka dalë fitues nga zgjedhjet. Ishte si një odë burrash, ku tentonin që përmes atij formati ta përmbysnin vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit, por padyshim nuk është ndonjë befasi pasi presidenti Thaçi ka kohë që orkestron këtë ndërmarrje të rrezikshme. Ai është duke u munduar që të bëjë gjithçka kundër Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, akuzon presidentin Thaçi për shkelje të kushtetutës dhe se po bën lëvizje të tilla në mënyrë që të realizojë një marrëveshje të rrezikshme për Kosovën.
“Duke qenë se është në muajt e fundit si President, nuk i bën përshtypje që po shkel kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për ne këtë veprime janë të papranueshme. Ne nuk jemi vetëm, ne kemi mbështetjen qytetare të konfirmuar në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, ku Lëvizja Vetëvendosje ishte subjekti i parë dhe kryeministri Kurti ka marrë mbështetjen më të madhe prej qytetarëve të Republikës së Kosovës. Duhet të kuptohet edhe në Shqipëri se kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon manovra të tilla, pasi në këtë kushtetutë vetëm subjekti i parë fitues ka të drejtë të ftojë partitë e tjera për të bërë koalicion parazgjedhor. Presidenti Thaçi po i bën këto lëvizje në mënyrë që të realizojë një marrëveshje tepër të rrezikshme, që kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta lejojnë. Nëse Presidenti ia kalon mandatarin partisë së dytë, ne padyshim e kemi obligim ta çojmë këtë në Gjykatën Kushtetuese. Ka një zemërim të madh nga ana e qytetarëve në lidhje me këto rrethana, mashtrime dhe tendenca për të mbytur vullnetin e qytetarëve”, u shpreh Haxhiu.
E pyetur lidhur me veprimet e mëtejshme që do të ndërmerreshin nga Vetëvendosja në kushtet kur kjo forcë politike aktualisht është e vetme përballë gjithë forcave të tjera, duke qenë se PDK ka vendosur të qëndrojë në opozitë, znj. Haxhiu u shpreh optimiste pasi siç tha VV ka me vete popullin e Kosovës që mbështet.
“Me PDK-në ne nuk kemi asnjë bashkëpunim. Atë e kanë ndëshkuar qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit. Nga të parën e kanë lënë të tretën. Ata janë ndëshkuar nga qytetarët. Ne nuk mund të bashkëpunojmë me dikë që është ndëshkuar nga qytetarët, por është edhe përgjegjës për degradimin e vendit. Pra janë përgjegjës për të gjitha problemet që i ka sot Republika e Kosovës. Ata duhet të reformohen, në mënyrë që Vetvendosje të konsiderojë ndonjëherë bashkëpunimin me ta”, tha ministrja e Drejtësisë në detyrë në Republikën e Kosovës, Albulena Haxhiu.