75 Mall Live Search
11:53 / E Martë, 17 Shkurt 2026 / P M

​Haxhiu: Përpjekjet për të shkëputur luftën e UÇK-së nga konteksti i saj historik rrezikojnë shtrembërimin e së vërtetës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në seancën solemne të kuvendit për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se çdo përpjekje për ta shkëputur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga konteksti i saj historik e politik, rrezikon shtrembërimin e së vërtetës së popullit të Kosovës.

Haxhiu tha se populli i Kosovës po e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale dhe gjykimin e saj, e cila sipas saj po anashkalon rrethanat në të cilat u zhvillua lufta çlirimtare.

Haxhiu tha se këtë datë e lartëson ajo që qëndron në themelin e republikës, UÇK-ja dhe lufta e saj e drejtë për çlirim.

“Këtë ditë të rëndësishme e lartëson ajo që qëndron në themelin e republikës, ajo që buroi nga populli, UÇK-ja dhe lufta e saj e drejtë për çlirim. Lufta e UÇK-së ishte luftë për dinjitet dhe liri… Çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik e politik, rrezikon ta shtrembëroj të vërtetën e asaj kohe. Ne i kujtojmë këto të vërteta, sepse populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë gjykatën speciale dhe këtë gjykim së pari sepse, anashkalon vet rrethanat në të cilat u zhvillua lufta jonë çlirimtare. Lufta jonë nuk ishte agresion por rezistencë ndaj okupimit dhe shtypjes, gjenocidit e spastrimit etnik”, tha Haxhiu.

Tutje, Haxhiu shtoi se tre linjat e historisë sonë çlirimtare, komandanti legjendar Adem Jashari, presidenti Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi ngritën mbi lavdinë e historisë së qëndresës shekullore të okupimit.

“Ndihemi krenarë për heroizmin e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë Jasharëve që u bënë simbol i rezistencës sonë të fuqishme kundër okupimit. Urtësinë e presidentit Rugova, që orientoi Kosovën drejt mbështetjes ndërkombëtare. Kuptojmë qëndresën të pathyeshme të Adem Demaçit që mbetet shembull i sakrificës së popullit tonë, në rrugën e tij për liri dhe dinjitet. Këto tre linja të historisë sonë çlirimtare e fitimtare, u ngritën mbi lavdinë e historisë së qëndresës shekullore të okupimit”, shtoi ajo.

Kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu tha se institucionet e Kosovës do të mbrojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të lirisë duke luftuar çdo përpjekje për ta deformuar atë.