Haxhiu: Projektligji për çmimin e barnave në interes të kompanive farmaceutike e grupeve të caktuara të interesit

Projektligji për çmimin e produkteve medicinale, sot ka kaluar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale . Por mbledhja e paraparë të nisë në orën 10:00 dështoi, pasi deputetët e partisë në pushtet nuk ishin të pranishëm, por të njëjtit u mblodhën pas më shumë se gjysmë ore për ta kaluar këtë Projektligj.
E nga opozita në mbledhje i pranishëm ishte vetëm deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili tha se rastësisht duke kaluar e ka parë që po mbahet mbledhja, pa praninë e opozitës.
“Projekligji është shtyrë për sot, sepse ka pasur dhe deputet të mazhorancës, që kanë kërkuar që të rregullohet çështja e deklarimit të çmimit të prodhuesve vendor. Sot edhe pse ishte caktuar mbledhja në ora 10:00 mazhoranca nuk erdhi në mbledhje. Pasi kanë shkuar deputetët e opozitës, ata janë mbedlhur vet për ta kaluar Projekligjin, pa diskutim me opozitën. Unë rastësisht tu shku në sallë e kam parë që po mbahet mbledhja dhe kam hyrë. E pash që kanë qenë të instruktuar prej Qeverisë, që mos të ndryshohet Projekligji dhe të votohet ashtu qysh e ka propozu Qeveria dhe të mos merret për bazë, kërkesa që të njihet e drejta e prodhuesve vendor, për ta deklaruar çmimin dhe vendin e origjinës, që e kanë të drejtë të gjithë prodhuesit në rruzullin tokësor. Kjo e drejtë do të duhej t’i njihet dhe prodhuesve vendor të Kosovës, që janë të pakët”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se ky nen ka qenë më herët i përfshirë në Projekligj, por është fshirë dhe se ata kanë kërkuar që ai nen të rikthehet . Por tha se megjithëse ka pasur dhe deputet të mazhorancës që kanë qenë pro të kthehet ky nen në Projekligj, ata sot kanë heshtur dhe e kanë votuar atë.
“ Sot nuk kaloi në komision propozimi ynë, sepse edhe ata deputetë të mazhorancës që kanë kërkuar që ky nen të jetë pjesë e Projekligjit sot të heshtur e miratuan, pa të drejten që prodhuesve vendor t’i njihet e drejta e deklarimit të çmimit. Ndonëse edhe deputeti Haxhi Avdyli dhe Burim Meta në mbledhjen e fundit kanë qenë që t’i njihet e drejta e deklarimit të çmimit prodhuesve vendor, sot as ata nuk e mbështeten kërkesen tonë, që tu njihet e drejta që prodhuesit vendor me pas të drejtë ta deklarojnë çmimin”, tha ai.
Ndërsa pohoi se ky projekligj po bëhet për interesa të kompanive të caktuara farmaceutike dhe grupeve të caktuara të interesit.
“Duket që ky Projekligj po bëhet për qëllime të kompanive të caktuara farmaceutike dhe për qëllime të grupeve të caktuara të interesit. Frikësohem se nuk do ta arrijë qëllimin, për çka do të duhej, e që është ulja e çmimit të barnave. Por mund të ketë dhe do të vazhdojnë të jenë barna me çmime të larta. Ka me dëmtu buxhetin e qytetarëve. Projekligji nuk i ka marrë në konsideratë fare prodhuesit vendor dhe nuk ia njeh të drejtën me deklaru çmim”, tha ai./Indeksonline/