Haxhiu takon kryetarët e grupeve parlamentare lidhur me formimin e delegacioneve të Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi sot një takim me kryetarët e grupeve parlamentare për të diskutuar nevojën e formimit sa më të shpejtë të delegacioneve të Kuvendit në organizata ndërkombëtare.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit ranë dakord që deri në fund të javës së ardhshme, grupet parlamentare të dërgojnë emrat e deputetëve për anëtarë të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, delegacionit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe atij në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë.
Kryetarja Haxhiu tha se për Kosovën kjo ka rëndësi të veçantë, pasi përfaqësimi aktiv dhe dinjitoz në këto organizata ndërkombëtare forcon subjektivitetin shtetëror dhe thellon bashkëpunimin ndërkombëtar.

