75 Mall Live Search
11:27 / E Martë, 17 Shkurt 2026 / S Z

Haxhiu: UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet

Kryetarja e kuvendit Albulena Haxhiu, tha se në themelin e republikës qëndron Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim, duke shtuar se populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale.

“Në këtë ditë të rëndësishme e lartëson ajo që qëndron në themelin e republikës sonë. Ajo që buroi nga populli. Që është sa mundësia edhe e vërteta e tij. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e drejtë për çlirim. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për dinjitet dhe liri. Ajo ishte kundërpërgjigje në rrethanat e një okupimi të ashpër, kur dhuna sistematike ndaj popullit shqiptar po merrte përmasa shkatërruese. UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet, pa pasur synim shkatërrimin e askujt tjetër. Dhe çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik dhe politik rrezikon ta shtrembërojë të vërtetën e asaj kohe”, tha ajo.

Haxhiu nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca solemne në shënim të 18-vjetorit të UÇK-së tha se lufta e UÇK-së nuk ishte agresion por rezistencë ndaj okupimit të shtypjes.

“Aq shumë kishte besim në drejtësinë e luftës sonë, saqë bota demokratike asokohe intervenoi e më vonë edhe e mbështeti pavarësinë e vendit tonë. Ne i kujtojmë këto të vërteta sepse populli i Kosovës e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale. Dhe këtë gjykim, së pari sepse anashkalon vetë rrethanat në të cilat u zhvillua lufta jonë çlirimtare. Lufta jonë nuk ishte agresion, por rezistencë ndaj okupimit e shtypjes, ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik. Luftë për të mbrojtur tokën tonë, pragun e shtëpisë, familjet, qytetarët civilë të paarmatosur në Kosovë. Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta deformuar atë”, tha ajo.