75 Mall Live Search
13:04 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / H F

Haziri: E padurueshme ecja nëpër terr politik, e shkaktuar nga Kurti dhe partia e tij

Në prag të skadimit të masës së përkohshme, nënkryetari i Lidhjes Demokatike të Kosovës, Lutfi Haziri, shprehet optimist se Gjykata Kushtetuese do të sjellë një vendim të qartë që pasqyron frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka sjellë vendim të qartë, e ka interpretu kërkesën specifikisht të grupit të deputetëve dhe e ka përkthy frymën kushtetuese në vendime për të gjithë ne, dhe institucionet e Kosovës. Kështu, që unë pres me qenë vendim i qartë e i cili e konfirmon frymën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, LDK-ja ka me respektu”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.

Haziri kritikon faktin që vendime të rëndësishme politike po i lihen interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

“E keqja e madhe është që vendimet që duhet me i sjellë politikanët duhet me i interpretu Gjykata Kushtetuese që është dobësia më e madhe, në këtë rast e partisë së parë të politike e cila frymën kushtetuese nuk po e zbaton”.

Sipas Hazirit, partia e parë në vend nuk ka zbatuar rezultatin e zgjedhjeve që nga 9 shkurti, duke deformuar qëllimisht frymën e Kushtetutës për interesa të veta politike.

“Partia e parë, me vetë faktin që prej 9 shkurtit deri sot nuk e ka zbatu rezultatin e zgjedhjeve, duke qenë parti e parë, e cila ka obligime dhe përgjegjësi po është edhe parti që ka korr rezultatin më të mirë në zgjedhje, e bën të qartë se frymën kushtetuese po e deformon në zbatim po e interpreton në mënyrën siç dëshiron dhe jo ashtu siç është. Nuk mundet me interpretu sipas dëshirës por duhet me lexu dhe me interpretu ashtu siç është ndërtu fryma e kushtetutës. Ne Kushtetutën e Republikës e kemi lexu në parimin e bashkëpunimit, bashkëpunimi është obligim kushtetues.”

Në fund, Haziri kërkon që Kuvendi të konstituohet sa më parë dhe të fillojë funksionimi institucional, për të hapur rrugën drejt formimit të qeverisë.

“Është hapi i dytë, është hapi tjetër. Me rëndësi që këtë fazë duhet të konstituohet të quhet i konstituuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, të fillon me i ndërtu trupat funksionale e kuvendi me ndërtu agjendë, planin legjislativ, komisionet parlamentare. Pas kësaj mandatari, Kushtetuta ia jep të drejtën partisë së parë që me marrë mandatari dhe me ndërtu qeverinë, është hap tjetër. Dihet saktë rruga për ndërtimin e qeverisë, dihet saktë sa ditë i ka mandatari i parë, sa ditë i ka mandatari i dytë eventualisht dhe qartësohet rruga. Por është e tolerueshme dhe e padurueshme ecja nëpër terr politik prej 9 shkurtit e deri sot që z. Kurti dhe partia e tij ja kanë shkaktuar Kosovës”.

Sipas parashikimeve kushtetuese, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, institucionet e reja duhet të formohen brenda 30 ditëve afat ky që është tejzgjatur marrë parasysh se zgjedhjet u mbajtën në shkurt të këtij viti.