Haziri flet për ministrat e Qeverisë Kurti

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur lidhur me përbërjen e re qeverisëse, teksa ka veçuar emrat e Ministrit për Punë të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën dhe Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit, Faton Pecit.
“Shumica prej tyre nuk kanë mbërri me u dëshmu, nuk kanë kry detyra ekzekutive, nëse i vlerësojmë si deputet. Tash duhet me i pa se si i përkthejnë në ekzekutiv. Le t’iu japin pak hapësirë. Ka emra premtues, në këtë qeveri i kam dy emra, z. Peci, si dhe z. Gërvalla, janë vokacion politik që unë i njoh, natyrisht pres shumë prej tyre”, ka thënë ai.
Nënkryetari i LDK’së ka thënë se figurat aktuale të cilët kanë marrë pozita nëpër ministri kanë qenë të pritshme.
“Është pritë që janë front-men politik të VV’së, që janë ndërtu pak prej vitit 2019 e këndej. Ka edhe më të vjetër, veprimtar politik të njohur. Është pritë që më i mbulu sektorët e caktum politik”, ka thënë tutje Haziri.