75 Mall Live Search
13:55 / E Mërkurë, 27 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Haziri: Gjilani në zi, mjetet financiare të manifestimit të 28 Nëntorit, i shkojnë familjes Abazi

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, sot ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme pas tragjedisë së djeshme që goditi Shqipërinë.

Ai me këtë rast ka thënë se Gjilani ashtu si Kosova dhe Shqipëria është në zi, pas tërmetit që ua mori jetën mbi 30 qytetarëve, në mesin e tyre edhe dy vëllezërve nga Livoçi i Gjilanit.

“Me keqardhje kemi marrë lajmin që si pasojë e tërmetit shkatërrues, dy bashkëqytetarë tanë kanë humbur jetën në Durrës dhe tashmë familja Abazi është në zi sic është edhe kombi shqiptar dhe komuna jonë.

Lutemi që Isa dhe Shemsedini si dy njerëz që humbën jetën në këtë fatkeqësi bashkë me numër të qytetarëve të jenë të fundit nga fatkeqësia dhe shpirti i tyre të bëjë dritë.

Ne si komunë solidaritetin tonë i kemi adresu te familja Abazi duke larguar aktivitetin kulturor që kemi paraparë ta mbanim.

Po ashtu falënderoj qytetarët e Gjilanit për solidaritetin që kanë tregu duke dërgu ndihma për banorët e prekur nga tërmeti.

Lutemi që dëmet dhe numri i viktimave të jetë sa më i vogël”, ka thënë Haziri, përcjell Indeksonline.

Ai ka thënë se deri tani qytetarët e Gjilanit kanë ofru shtëpitë e tyre për strehim për banorët e prekur nga tërmeti, ndërsa 25 familje janë lajmëru se do të vendosen në këtë komunë. Derisa ka thënë se mjetet financiare që ishin paraparë për manifestimin e Festës së Flamurit do t’u dedikohen familjes Abazi dhe një pjesë tjetër do të shkojnë në Shqipëri.

“Ne do t’i mirëpresim dhe qytetarët po vazhdojnë të paraqiten për ndihmë dhe solidaritet.

Unë dje kam kontaktuar Edi Ramën për të shprehur shqetësimin, mbështetjen dhe solidaritetin dhe kryeministri shqiptar ka shprehur ngushëllimin për familjen Abazi dhe Gjilanin.

Mjetet e parapara për manifestim do të zhvendosen në shenjë solidariteti për familjen Abazi dhe një pjesë tjetër do të shkojnë në Shqipëri”./Indeksonline/